Site icon Telegrafi

Çfarë dihet deri më tani për vdekjen e Alexei Navalnyt – kritiku i Putinit që po mbahej në njërin prej burgjeve më të këqija të Rusisë

Lajmi për vdekjen e kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny tronditi sot botën derisa të shumta kanë qenë reagimet nga vendet perëndimore duke fajësuar presidentin rus Vladimir Putin për këtë.

Por çfarë dihet për rastin dhe çfarë u tha për vdekjen e kritikut të Putinit?

Sipas raportimeve ruse, Alexei Navalny kishte dalë për një shëtitje të shkurtër në koloninë e tij penale siberiane, tha se nuk ndihej mirë, më pas u rrëzua dhe nuk rifitoi kurrë më vetëdijen, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Vdes në burg kritiku i Putinit, Navalny

Ai ishte 47 vjeç. Gjendja e tij ishte përkeqësuar në këto tre vjet sa ishte në burg, ku u ankua se iu ishte mohuar trajtimi mjekësor dhe kishte kaluar gati 300 ditë në izolim. Deri para arrestimit të tij në janar të vitit 2021, ai kishte kaluar muaj duke u shëruar nga një helmim me agjent nervor.

Megjithatë, ai u duk se ishte në gjendje të mirë shpirtërore dhe me shëndet relativisht të mirë në një video gjyqësore një ditë para vdekjes së tij.

Lexo po ashtu Biden: Nuk ka dyshim që Putini është përgjegjës për vdekjen e Navalnyt

Pesha e opinionit ndërkombëtar nuk duket se përputhet me rrëfimin e Rusisë për atë që i ndodhi atij në koloninë penale IK-3 ose “Ujku Polar” – një nga burgjet më të këqija të Rusisë.

Ministri i Jashtëm francez Stephane Sejourne tha se Navalny “e pagoi me jetën e tij” për “rezistencën e tij ndaj shtypjes ruse”, duke shtuar se vdekja e tij ishte një kujtesë e “realitetit të regjimit të Vladimir Putinit”.

Nëna e Navalnyt, Lyudmila tha se djali i saj ishte “gjallë, i shëndetshëm dhe i lumtur” kur e pa për herë të fundit më 12 shkurt.

Gruaja e tij Yulia foli sot në Konferencën e Mynihut në Gjermani duke thënë se ende nuk po u besonte raportimeve.

Çfarë thonë raportimet ruse për rastin e vdekjes së tij 

Agjencia ruse e lajmeve Interfax raporton se mjekët ishin përpjekur gjysmë ore për ta kthyer në jetë.

Sipas autoriteteve të burgut, mjekët reaguan brenda dy minutave pas kolapsimit të tij derisa ambulanca kishte ardhur brenda gjashtë minutave.

Lexo po ashtu Ky është burgu ku vdiq Navalny - temperaturat shkojnë deri në minus 40, kushtet janë vërtet të këqija

Rrjeti shtetëror RT – i ndaluar në shumë vende perëndimore – ngriti mundësinë që një mpiksje gjaku mund të ketë qenë shkaktar i vdekjes.

Deri më tani nuk ka pasur ekzaminim pas vdekjes.

Lexo po ashtu Putin shfaqet i relaksuar dhe me duar në xhepa pas vdekjes së Navalnyt

Kritiku i Putinit, Navalny ishte mjaft i vetëdijshëm se shumë njerëz e donin të vdekur, duke qenë se ka pasur tentativa të mëhershme për vrasjen e tij.

Në dhjetor të vitit 2020, Navalny akuzoi agjentët e agjencisë ruse të sigurisë, FSB, për helmimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version