Site icon Telegrafi

Çfarë dihet deri më tani për incidentin në Mynih, ku mbetën të lënduar të paktën 28 persona?

Policia gjermane u alarmua sot kur një veturë shtypi këmbësorët në Mynih, ku si pasojë mbetën të lënduar të paktën 28 persona.

Autoritetet e sigurisë besojnë se incidenti ishte një sulm – ku në mesin e të lënduarve dy prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Kryebashkiaku njoftoi se ka edhe fëmijë në mesin të lënduarve, që u shtypën me veturë në mes të ditës, transmeton Telegrafi.

Një veturë e tipit Mini Cooper i ishte afruar veturës së policisë që po ndiqte nga afër një protestë, dhe më pas rriti shpejtësinë duke iu vërsulur turmës.

Sipas policisë i dyshuari është një afgan 24-vjeçar që kishte kërkuar azil në Gjermani. E ministri i Brendshëm njoftoi se i dyshuari ishte i njohur për policinë për shkak  të drogës dhe shumë incidenteve për vjedhje.

Megjithatë, autoritetet intervenuan menjëherë duke shtënë mbi veturë dhe prangosur të dyshuarin në vendin e ngjarjes, ndërsa nuk dihet nëse ky incident ka lidhje me Konferencën e Sigurisë në Mynih që pritet të mbahet nesër.

Kancelari gjerman Olaf Scholz, ka thënë se i dyshuari “duhet të ndëshkohet” dhe se nuk duhet t’i lejohet qëndrimi në Gjermani.

Por ajo çfarë akoma nuk dihet është motivi i këtij sulmi, e policia akoma nuk ka treguar nëse po cilësohet si “incident terrorist”. /Telegrafi/

Exit mobile version