Helmimi masiv i qytetarëve në Han të Elezit dhe Kaçanik ngriti dyshime të mëdha për cilësinë e ujit të pijes në Kosovë.
Ngjarjet ndodhën këtë muaj, ndërsa të prekur ishin banorët e fshatit Seqishtë dhe Gorancë.
Kjo situatë bëri që me këto raste të merret edhe Instituti i Shëndetit Publik.
Në një përgjigje për RTV Dukagjinin, nga ky institucion kanë thënë se pas analizave mikrobiologjike që janë bërë në të dyja rastet, e ku janë vërejtur baktere mbi normat e lejuara.
“Nga aspekti mikrobiologjik në mostrën e ujit të marrë në fshatin Seqishtë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla, ndërsa në mostrën e ujit të marrë në fshatin Gorancë janë prezente numri i tërësishëm i baktereve të gjalla mbi normat e lejuara dhe Streptokoke me prejardhje fekale”, ka thënë IKSHP-ja.
Alarmi që u ngrit pas këtyre rasteve, duket se nuk do ti prek tetë komunat e Kosovës, të cilat furnizohen nga Kompania Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur se brenda vitit kompania bënë testimin e ujit më mbi 12 mijë mostra.
“Në total brenda vitit kemi mbi 12 mijë mostra që i marrim dhe jasht këtij planifikimi kemi edhe 45 raste ankesa të konsumatorëve për cilësi jo të mirë të ujit e që i bëjmë në laboratorin tonë. Zakonisht kemi konsumatorë që kyçen ilegalisht në rrjetin e ujësjellësit dhe që kyçen edhe në rezervoare të ndryshme”, ka thënë Mjeku.
Se nuk ka arsye për shqetësim e thotë edhe ish Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina” profesori Skender Bublaku.
Sipas tij, rreziku është tekë zonat rurale ku qytetarët furnizohen me ujë në format klasike.
“Problemet që po shfaqen janë nga zonat që kanë marrje e ujit në mënyrë klasike pa një trajtim specifik dhe pa një zonë mbrojtëse ujore. Kryesisht kjo shfaqet në zona rurale që nuk janë nën menaxhimin e kompanive të ujësjellësit dhe që nuk monitorohen nga Instituti i Shëndetit Publik”, ka thënë Bublaku.
Eksperti i ujërave tregon formën se si mund të zgjidhet problemi me ujin e pijes.
“Nëpër zonat, ku pas luftës ka pas investime të mëdha, në shumicën e rasteve s’ka instalime teknike të mira, të cilat do të garantojnë cilësinë ujit dhe mos klorizimi dhe trajtimi i ujit, por edhe reshjet e shiut, janë disa nga faktorët. Besoj që zgjidhja është rishikimi komplet i kësaj strukture. Nëse nuk i monitorojmë ne s’mund të kemi cilësi të mirë të ujit”, ka shtuar Bublaku.
Në tërë Kosovën janë shtatë kompani të shpërndarjes së ujit në zonat e ndryshme.
Ndërkohë, rasti më i madh i dyshimeve që numër i madh i personave janë helmuar nga uji i pijes, ndodhi vitin e kaluar në Deçan. /Dukagjini/