Holta Heba
Në komunikimin mes njerëzve të ndryshëm në bindje dhe ide, lind nevoja për shpjegime.
A ka emërues të përbashkët për komunikim midis dy njerëzve me kulturë jo të njëjtë?
Sigurisht që ka, por vetëm në ato raste kur mbizotëron dëshira e mirë për t’u marrë vesh.
Ç’do të thotë të kuptohesh me dikë që nuk është si ne?
Pikë së pari, gjendemi përballë sfidës për të kuptuar pritshmëritë e tjetrit dhe tonat. Gjithashtu, do të duhet të pranojmë që ai tjetri ka një formim krejt ndryshe nga i yni dhe si pasojë nevoja për shpjegim të fjalëve apo koncepteve bëhet e pashmangshme.
Së dyti, lind nevoja edhe e të pranuarit të faktit se shumë gjëra perceptohen ndryshe nga tjetri i pangjashëm me ne. I duket llahtari madje absurde amerikanes që check up-i mjekësor i imi ka dy vjet që nuk është bërë. Ndërkohë që për mua mbetet normale madje arsyeja pse është shmangur është për të qenë sa më larg duarve të mjekëve, të cilët nëse janë pesë të ndryshëm nxjerrin pesë diagnoza të ndryshme. Në fund të kontrolleve pa emërues të përbashkët të gjendjes shëndetësore dhe konsultimeve pafund të mjekëve, përfundon edhe me takimin e fundit me psikologun, i cili të sugjeron t’i marrësh më lehtë diagnozat e shumta dhe të paqarta që ke dëgjuar brenda një jave. I duket injorancë e madhe amerikanes, dhe ka të drejtë, por asaj i duhet të kuptojë se me kaq shumë diagnoza të dëgjuara e të sajuara, një kontroll rutinë dhëmbësh mund të të shpjerë edhe në kandidate për në sallë operacioni, apo për paciente të rregullt te psikiatri. Ndihem fajtore por ama e kam një arsye të fortë! Premtoj që do të shkoj por më lër të shpjegohem se ky fenomen që presupozohet të jetë në të mirën time, me kaq e kaq avari kthehet në një makth! C’est la vie!
Ç’do të thotë të bashkëpunosh me dikë që nuk është si ne?
Në këtë rast, sfida për ta pranuar tjetrin me të ndryshmet e tij është edhe më e madhe.
Kolegu i lindur dhe rritur në një koine ndryshe nga imja, ka bindjen se idetë e tij edhe pse të gabuara janë më të gjeturat. Nëse më duhet të tregohem bashkëpunuese në komunikimin me të, dhe nëse supervizori ynë kërkon përfundim pozitiv të situatës, durimi dhe qetësia duhet të jenë dy sfidat bashkangjitur kulturës dhe formimit tim. Vetëm se, kjo nuk do të thotë që përveç ideve brilante duhet të pranoj çdo broçkull të tijin. Një çast zotëri, në këtë të ashtuquajtur bashkëpunim tonin më duhet të tregoj dhe unë karakteristikat e koinesë prej nga kam prejardhjen. Le të marrim frymë thellë dhe të pranojmë se jo gjithnjë ti ke të drejtë. Kur ekziston dëshira e mirë për të komunikuar, në momente dhe kontekste të caktuara jemi diçka por edhe gjithçka. C’est la vie!
Ç’do të thotë të mirëkuptosh dikë që nuk është më si ne?
Fillimisht duhet të peshojmë se sa rëndësi ka individi që duhet mirëkuptuar dhe a ka interes komunikimi me të. Për vite me radhë kam ndarë e kam komunikuar me shoqen e fëmijërisë ngjarje dhe emocione të miat. Jeta na ndau, dhe fati desh që ajo të jetojë prej vitesh në një kulturë ndryshe nga ajo që u rritëm dhe formuam. Shoh që ka ndryshuar bindshëm, madje idetë tona nuk janë më aq të ngjashme si dikur. Të dyjave na duhet t’u vëmë shtojca shpjegimesh komunikimit pasi ndikimi i kulturave që tashmë jetojmë është i ndryshëm. Paskemi ndryshuar, por komunikojmë mirë. Më lejon dhe e lejoj të shpjegohem për të komunikuar deri në mirëkuptim.
C’est la vie!