Site icon Telegrafi

Çështje të mprehta të historisë kombëtare…

Besnik Dizdari

Them “çështje të mprehta të historisë kombëtare” sepse merret me mend që edhe sporti apo futbolli janë pjesë të historisë së një kombi, apo shteti. Aq më tepër që kjo pjesë e jetës shqiptare prej vitesh po përshkohet në një nënvleftësim a injorim shembullor. Dhe, athua ju vjen keq me ju thënë se si asnjëherë tjetër në historinë tonë, sporti nuk pasqyrohet më varfërisht sesa sot në gazetat e përditshme josportive?

Po të jeni të paanshëm dhe profesionistë të vërtetë (dhe besoj se të tillë jeni) nuk duhet t’iu vijë keq. Qoftë edhe kësaj gazete ku po shkruaj, që është “Panorama”, si më e madhja dhe më e lexueshmja në Shqipëri. Varfëria e temës sportive kombëtare në të përditshmet josportive të Shqipërisë është e skajshme. Të vjen shumë keq se duke u marrë më shumë me Cristiano Ronaldo-t e Real-at, me Messi-at e Barcelona-t, me Juventus-at e Serie A-të sesa me Shqipërinë, kujtojnë se po tërheqin lexuesit. Naivë.

Harrojnë se interneti po bën kërdinë e kësisoj edhe të rinjtë shqiptarë që e kanë braktisur prej kohësh sportin e vendit të tyre, të gjitha këto “tema ndërkombëtare” që vërshojnë si ujë, për fat të keq shpesh aspak të një kulture të kthjelltë, “i mësojnë” duke ndenjur në kafene dhe duke “shfletuar” celularët e tyre. Kështu pra, asnjëherë në shtypin shqiptar nuk ka ndodhë që gazetat e përditshme josportive të braktisin kësisoj temat apo tematikën historike të zhvillimeve të sportit kombëtar si sot.

Nuk krahasohen jo më me “Zërin e Popullit”, “Bashkimin” apo “Zërin e Rinisë” të viteve të Shqipërisë komuniste të mbasluftës, por aq më pak me ato çka kanë pasqyruar për sportin kombëtar pionieret e gazetarisë shqiptare, “Drita” e “Arbnia, “Gazeta Shqiptare” e “Gazeta e Korçës, “Besa” e “Vatra” të viteve ’30-të. Ndërkaq, krejt papritmas, këto ditë në shtypin e të përditshmeve josportive ka ndodhë një rast që shkruesi i këtyre radhëve që merret jo pak edhe me histori gazetarie, po e quan tejet befasues.

Edhe pse për dikë mund të duket e vogël. Ka ndodhë pra që, në numrin e saj të 19 majit 2016, e përditshmja e këtushme “Panorama” ka botuar atë që figurativisht e quajmë “Libri i Artë” i skuadrave Kampione të Shqipërisë. Është hera e parë mbas e pakta nja 40 vjetësh që një e përditshme josportive boton listën e “Librit të Artë” të Kampioneve të Shqipërisë. E dini se ky “Libër i Artë” është thjesht përmbledhja përmes nja 70 e diçka më shumë radhëve të një shifre viti e të një emri skuadre që përmbajnë Kampionen e çdo stine të futbollit Shqiptar.

Kjo quhet histori statistikore, themel sidomos në gazetarinë sportive, kur dihet se më fort se askush sporti sundohet prej datave, emrave, viteve, rezultateve, shifrave… Nuk e di se çka e shtyu “Panorama”-n që befas ta botonte “Librin e Artë” të Kampionatit. Ndoshta, fakti se sivjet Kampionati Kombëtar i Shqipërisë vendosi një rekord të papamë, duke praruar Skënderbeun e Korçës në 6 herë rresht Kampion i Shqipërisë.

Gjithashtu, nuk e di nëse ky veprim i “Panorama”-s tregon për një ndryshim në trajtimin nga ana e saj të temës sportive. Ajo që të gëzon, është se një gazetë josportive botoi gjithë Kampionët e Shqipërisë, ndoshta duke u kujtuar se jo të gjithë shqiptarët lexojnë përditë vetëm gazetat sportive. (Bie fjala – kjo sa për një krahasim – gazetat italiane të gjitha e botuan “Librin e Artë” të Serie A, të nesërmen e titullit të Juventusit: “Corriere della Sera” e “La Repubblica”, “Il Giornale” e “La Stampa”, “Il Messaggero” apo “Il Mattino”, çka e bëjnë për vit).

E pra, çka ka ndodhë në Shqipërinë e sotme që shtypi i përditshëm josportiv e ka braktisë prej vitesh tematikën sportive, sidomos tematikën e zhvillimit historik sportiv? Kur tematikat e tjera kulturore, letrare, të historisë tjetër kombëtare, ai nuk i ka braktisë assesi? A është ky nënvleftësimi i pangjashëm i temës historike sportive prej shtypit shqiptar?…

Dhe, vështroni tash se çka ndodhi me “Librin e Artë” të Kampionateve Kombëtare të futbollit shqiptar që botoi “Panorama” më 19 maj 2016. Ndodhi që kur vjen te vitet 1939, 1940, 1942, ajo pranë secilit vit në vend të emrit të ekipit kampion, vendos këto fjalë: “Nuk u njoh”. Pra që këta tre kampionate kombëtare të organizuar nën pushtimin e Italisë Fashiste, prej dikujt (ndoshta ndonjë “Akademi supreme” a s’di se çka) nuk qenkan njohur!

Dhe, mu në këtë çast dalim te problem i ynë. Kush nuk i paska njohur vallë? Dhe më tej: kush e paska këtë të drejtë që tre kampionate kombëtare të futbollit në Shqipëri që janë zhvilluar për bukuri të mos t’i njohë? Po në fund të fundit, çfarë kuptimi ka që të shkruhet e të thuhet “nuk janë njohur” për tre kampionate të cilët janë luajtur, janë zhvilluar, kanë marrë pjesë të gjithë klubet e të gjithë qyteteve të Shqipërisë, anë e kënd vendit dhe kur prej tyre janë shpallur me ceremoni skuadrat kampione?

Kur madje prej këtyre kampionateve vetëm një ditë (për fat nën fashizëm) mbas festimeve të bujshme të 30-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, 29 nëntor 1942, ka dalë në fushën e lojës në Tiranë, edhe skuadra Përfaqësuese e Kosovës e sapothemeluar! E asaj Kosove që këto dit u pranua në FIFA?…

2.

E pra, unë për vete i njoh këta kampionate. Po kush qenkam unë që paskam të drejtë të njoh kampionate të futbollit? Jam thjesht një prej qytetarëve të shumtë që e dua këtë vend, por që kam fatin të jem edhe një gazetar e historian i sporteve. Dhe me këtë status civil, qytetar, shqiptar, kulturor, njerëzor dhe atdhetar, në 2004, për herë të parë në histori, përmes librit të posaçëm (ekskluziv) me titullin “Historia e Kampionateve në Shqipëri, vitet 1939-‘42″, kam treguar dhe vërtetuar se si gjatë pushtimit italian, Shqipëria ka organizuar tre kampionate kombëtare të futbollit, njeri prej të cilëve madje edhe me skuadra të Kosovës. Këta kampionate kombëtare “zbulova”.

E vë në thonjëza për të kuptuar se në të vërtetë nuk i kam zbuluar unë, se ata aty kanë qenë. Vetëm sa i nxora prej thellësive të dokumenteve dhe shkrova një libër të tanë qysh më 2004. Një libër, që përmban qindra emra, data, rezultate, episode, gjeopolitikë, argument shkencor. Një libër, për fat është shitur i gjithi falë lexuesve atdhetarë shqiptarë. Sigurisht nuk është fjala për ndonjë kryevepër të llojit. Është fjala thjesht për një histori të llojit. Askush nuk e përmend atë libër të një historie që qenka “fashiste”.

Ngaqë organizatorët, emrat e të cilëve janë Shevqet Vërlaci, Mustafa Kruja, Ernest Koliqi e Eqrem bej Vlora, paskan qenë shqiptarë fashistë. Ka shkrues që kanë veç nja pak kohë, të cilët po në mënyrën e tyre të vetëkënaqur, shpesh të sunduar prej një plagjiati shembullor, guxojnë e merren me histori sportive pa e studiuar assesi këtë histori.

Sidomos me shkrime portrete sportistësh, pa ia arritur të bëjnë histori, çka duket qartë kur deri në një shkrim të vetëm që mëton të tregojë histori ju gjen mesatarisht 10 deri në 15 të pavërteta. Mirëpo, o burra, bëji qejfin dikujt, teksa ua përshkruan biografinë në gazeta, paçka se me disa të pavërteta dhe vrapo te pagesa e pamerituar e redaksisë bujare.

Është revoltuese, teksa nuk ua verifikon askush pasaktësitë që vijnë prej moshulumtimit, po aq edhe prej dinakërisë perfide të autorit, përderisa redaksia është e përbërë me të rinj, siç mendon ai, të cilët ende nuk e kanë mësuar historinë dhe me pastërti besojnë te ndershmëria dhe “serioziteti” i autorit “sugjestionues”.

Shqipëria ka pra nevojë për formimin e historianëve të rinj edhe në fushën e sporteve. Mirëpo, nëse ka prej tyre që janë të paditur e të paformuar, redaksitë mbajnë përgjegjësi të madhe që iu botojnë. Më pat kërkuar një takim njeri prej kësaj kategorie, teksa kishte guximin e famshëm për t’u bërë promotor i këtyre kampionateve për t’i njohur ata në mënyrën e tij të vetëkënaqur. I përkiste anës së përulur të Federatës Shqiptare të Futbollit e donte të hiqej si zbulues i madh me punën e të tjerëve.

Madje, edhe duke shkruar ndonjë artikull duke u hequr thuajse si një lloj zbuluesi a mbështetësi të këtyre kampionateve. S’kemi ç’bëjmë, jemi mësuar me injorimin, me harresën tipike shqiptare, me mosmirënjohjen, me mosvlerësimin, me rrëmbimin e meritave prej tjetërkujt. Dhe kështu, papritmas ndodhi që ishte “karikuar” gjoja të votonte Asambleja e Futbollit për të njohë tre kampionate të futbollit, tashmë të stërnjohura. Kishim të bënim me një lloj njohjeje të shpikur prej shqiptarësh të paditur.

Një lloj njohjeje të këtyre kampionateve, me rregullin e votave 50+1. Kështu, nëse 51 veta në 100 thoshin se “kampionatet nuk i njohim”, kjo do të thoshte se ata nuk janë zhvilluar. Edhe pse në të vërtetë janë zhvilluar ditën për diell. Kësisoj, nëse këta votues të krahinave, ndonëse nuk kanë idenë se çka janë këta Kampionate, ose sapo kanë mësuar diçka në tym prej shkruesve historikë, do të votonin kundër, siç dhe votuan, atëherë kjo do të thotë se këto kampionate nuk ekzistojnë, pra nuk janë zhvilluar, nuk janë luajtur.

Po cili i dha të drejtën këtij grupimi të madh kundërfashist datuar shekulli XXI të na votojë për historinë tonë kombëtare? Si të ishte fjala për ta bërë Kampionatin me 10 apo 12 skuadra?…

3

Ata janë kampionate të Riza Lushtës e të Naim Kryeziut, të Loro Boriçit e Sllave Llambit, të Foto Jankut, Zyber Lisit e Haki Korçës, të Rudolf e Mark Gurashit, të Adem Karapicit e Fisnik Xharrës, të Klani Marjanit e Ruzhdi Bizhutës, të Shevqet Jolldashit e Shevqet Lamçes, të Muç Koxhjes e Skënder Gjinalit, të Bimo Fakjes e Reshit Rusit, të Ernest Halepianit e Met Vasisë, të Vasip Alushit e Nani Sallatës, të Ymer Sharrës e Fiqiri Hoxhës, të Millorad Jeremiqit e Fiqiri Tartarit, të Demir Carës e Qamil Telitit, të Adem Smajlit e Latif Alibalit, të Miço Plluskës e Ndue Palit, të Hasan Maluçit e Hasan Ballës, të Xhavit Demnerit e Mexhid Dibrës, të Tas Bylykut, Besim Fagut e Mazllum Xërxës, të Tahir Pukës e Bahri Kavajës, të Muhamet Dibrës e Isuf Pelingut, të Xhevdet Shaqirit e Ahmet Nutit, të Skender Begejës e Rexhep Spahiut, të Akil Deranit e Arif Pezës, të Ramadan Vraniqit e Tiç Parapanit, të Nexhip Morinës e Mustafa Hencit, të Sabaudin e Vasif Biçakut, të Ali Vishës e të Prokop Myzeqarit, të Teli Ndinit, Mitaq e Lef Sallatës e Vllas Arapit, të cilët i blatuan Shqipërisë këto tre kampionate.

Madje, siç e shihni nga emrat, disa dhanë edhe jetën në luftë kundër atij fashizmi, e nja dy a tre të tjerë si Vllas Arapi e Ndue Pali (Mirashi) ua mori jetën mbas 1944. Çka do të thotë se këta tre kampionate i falen Shqipërisë edhe dëshmorë, për fat të të dy kaheve. Ndërsa shokët e tyre Mbasluftës u dhanë jetë rifillimit të Kampionateve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Është e vështirë, tejet e vështirë që pa këto tre kampionate 1939, 1940, 1942 Mbaslufta ta gjente Shqipërinë me futbollistë aq të mirë e të formuar siç e gjeti.

Ishte një pasur e tanë njerëzore e futbollit dhe pa to kurrsesi nuk mund të bënte rrufeshëm, vetëm nja disa muaj mbas mbarimit të Luftës, Kombëtaren Shqiptare, kampione të Ballkanit 1946! Është krejt e pamundur që të ndodhte që qysh nga veprimtaria e fundit kombëtare e futbollit të Paraluftës, finalja e Kupës së Parë të Shqipërisë, ajo Vllaznia – SK Tirana 1-2, zhvilluar në Shkodër më 22 janar 1939 e deri më 1945, në Shqipëri të mos kishte veprimtari kombëtare futbolli dhe papritmas, në 1946, ky vend i vogël të fitonte Kampionatin Ballkanik përballë pjesëmarrësve të Kupës së Botës së viteve ‘30-të, Jugosllavisë e Rumanisë! Mirëpo, për fatmadh, Shqipëria kishte zhvilluar edhe tre kampionate kombëtare nën pushtimin fashist, po aq të rregullta si ato të viteve ‘30-të, duke ruajtur kështu afshin e futbollit, çka e bëri që të hynte te Mbaslufta jo kaq e paditur, siç është trumbetuar aq fort më mbas gjatë regjimit komunist, i cili proklamonte me bujë dhe me rréna se brenda pak muajve kishte arritur të bënte në Shqipëri futbollin e madh!

Dhe, që krejt papritmas, Shqipëria ngre dhe përgatit Kampionen e Ballkanit, që e paska ruajtur si një konservë për gati 6 vjet dhe mandej po papritmas, në 1945-‘46, do ta hapte si në përralla konservën e futbollit që të shpërthente në një sensacion që bëri bujë në gjithë Europën si kampione e Ballkanit. Dhe tek e keni një fakt që asnjëherë nuk e kemi shpalosur si kësaj here: Nga të 14 futbollistët shqiptarë kampionë të Ballkanit 1946, plot 11 (dhe janë titullarë) kanë lindur dhe janë formuar prej këtyre tre Kampionateve 1939, 1940, 1942.

Ata janë: Muhamet Dibra, Sllave Llambi, Rexhep Spahiu, Xhavit Demneri, Bimo Fakja, Tiç Parapani, Qamil Teliti, Loro Boriçi, Bahri Kavaja, Vasif Biçaku, Besim Fagu! Edhe për nderin e këtyre 11 zbulimeve, për ne legjendare, ne që duam këtë vend dhe që jemi me qindra mijëra, këto tre Kampionate Kombëtare i vejmë përherë në krye të vendit.

Dhe këto 11 zbulime nuk përbëjnë thjesht një përkim. Ata përbëjnë një prodhim të jashtëzakonshëm të futbollit shqiptar, modest vërtet, por jo rrallë formues yjesh të mëdhenj. Nuk harrojmë as këtë tjetrën, që menjëherë prej këtyre tre kampionateve, një pesëshe e famshme shqiptare u nis drejt Italisë, Kampione e Botës në fuqi: Riza Lushta, Naim Kryeziu, Loro Boriçi, Sllave Llambi, Sabaudin Biçaku.

Dhe brenda 24 muajve dy të parët u bënë kampionë dhe fitues të Kupës së Italisë. “Shkollë shqiptare e futbollit”, përcaktonte bujshëm gazeta e përditshme “Il Littoriale” (“Corriere dello Sport” e sotme). E vërteta është se tashmë prej lexuesve të mençëm, prej dashamirëve të sporteve, njerëzve të ditur e të kulturuar të futbollit e të vetë kulturës kombëtare, prej atdhetarëve shqiptarë, jo prej atdhetarëve të vonuar, këto kampionate janë stërnjohura. Mbi të gjitha, janë të stërnjohura sepse janë luajtur, janë zhvilluar.

E pra, edhe pse u “rizbuluan”, u shkruan, u botuan e iu lanë aty Shqipërisë sime dhe të atyre të cilën e duan fort atë dhe të cilët kanë dhimbje për të. Ndërkaq, siç e dini, kujtoj se prej rreth gati 20 vjetëve i kam “zbuluar” po Shqipërisë edhe Kupën e parë Kombëtare të Futbollit, atë të vitit 1938-’39, të cilën sot e gjen në të gjithë botimet ndërkombëtare. Edhe pse në Shqipëri nuk ka ndonjë vendim për ta njohur këtë Kupë. Historia nuk merret me votime 50+1. Historia merret me vërtetimet e ngjarjeve të ndodhuna e të faktuara të një kombi.

Aq më tepër që historia shkruhet e rishkruhet, sepse gjithnjë zbulohen fakte të njohura e të panjohura, të fshehura e të harruara, të zhdukura e të mënjanuara me qëllime të mbrapshta. Thoshte At Zef Valentini: “Duhet me dalë prej nebulozës së miteve patriotike dhe me iu përveshë hulumtimeve historike”. Në të vërtetë, për ne, fjala është që na duhet të dalim prej nebulozës së miteve pseudopatriotike.

4.

“Almanacco Illustrato del Calcio”, botimi i përvitshëm më autoritar i historisë së futbollit në Itali po dhe në Europë, papritmas vitet e fundit bëri të njohur si Kampione të Italisë të vitit 1944, skuadrën e zjarrfikësve të La Spezia-s, edhe pse deri më sot asnjë Asamble e Federatës Italiane të Futbollit nuk është mbledhur për ta votuar këtë kampionat. Nuk është e nevojshme kjo, sepse Kampionati 1943-‘44 i Italisë, ashtu si në rastin e tre kampionateve tona “i zbuluar” edhe ai vitet e fundit, është aty si një pjesë e vetë kulturës dhe sporteve të Italisë.

Por më 22 janar 2002, Këshilli i Federatës Italiane të Futbollit, pa asnjë lloj votimi të tipit shqiptar për njohje, ka bërë një gjest nderimi tejet kuptimplotë: i ka dorëzuar një Medalje të Artë trupit të sotëm të zjarrfikësve të La Spezia-s si Kampion i Italisë 1943-‘44. (Shqiptari Riza Lushta ka qenë një nga shënuesit më të mirë të këtij kampionati).

Dhe nga ana e saj, Federata Italiane e Futbollit i ka dorëzuar qytetit La Spezia, një targë, një lloj “scudetto” të kujtimit, siç edhe e ka quajtur, duke i propozuar klubit të tij të sotëm vendosjen e saj si një emblemë të posaçme në fanellën e skuadrës. Këto po, janë punë me mend. Ndërkaq, është vërtet bizarre, madje unik në llojin e vet, ajo çka ka ndodhur para pak vitesh në Gjermani. Një finale për titullin kampion të fillimit të shekullit të kaluar (1904) midis klubeve Britania Berlin dhe Vfp Leipzig e pa zhvilluar për shkaqe të ndryshme, “u rizhvillua” në 2007 mbas 103 vjetëve!

Si është e mundur kur ato skuadra nuk ekzistojnë më dhe kur të gjithë ata futbollistë nuk jetojnë më prej kushedi sa vitesh? Duhet “të hyjë” në histori edhe ky kampionat, se është i yni, thanë disa gjermanë. Dhe morën lojtarë të sotëm, i veshën si asokohe të largët, iu dhanë këpucë futbolli si të atëhershme, madje iu dhanë edhe një top të atëhershëm. Ndeshja u zhvillua dhe qoftë dhe simbolikisht u “shpall” kampionia e Gjermanisë e atij viti. Dhe ja tek më mbërrin përsëri në mendje rasti atdhetar i Francës, e cila njeh sot e kësaj dite të gjithë kampionatet e zhvilluara nën pushtimin Gjerman.

Ka qenë kohë e vështirë dhe udhëtimet nuk ishin të lehta. Dhe në 1941, më 1942, më 1943, më 1944 e madje edhe më 1945, pa rënë Nazizmi, Franca zhvilloi jo një, por dy apo tre kampionate kombëtare në vit simbas zonave gjeografike veriore apo jugore dhe shpalli pra jo një, por dy e tri kampione kombëtare të një viti a sezoni të vetëm: FC Rouen, Nice, Bordeaux, O.Marseille, Reims, Lens, Toulouse, Lyon! Kjo është atdhetaria, respekti dhe nderimi për historinë kombëtare.

Dhe dëgjoni tashti se çka ka guxuar të bëjë Shqipëria. Madje, pa asnjë gjest bizarrie, por me kulmin e rreptësisë të një qëndrimi krejt shkatërrues për historinë kombëtare. Kjo ka ndodhur andej nga fillimi i viteve ’60, më saktë në shkurt 1962. Partia e Punës, mohuesja e madhe e krejt kampionateve të viteve ’30, bëri një konferencë të bujshme dhe “themeloi” edhe një herë Federatën Shqiptare të Futbollit, mbas plot 30 vjetëve ekzistencë dhe pranimit të saj në FIFA!

Kur më parë, më 2 korrik 1945, po PPSH “themeloi” Federatën Sportive Shqiptare, e cila ishte themeluar nga Mbretëria plot 15 vjet më parë! Prej së cilës patën lindur Federata Shqiptare e Futbollit dhe e Atletikës së Lehtë, që u pranuan menjëherë në Federatat Ndërkombëtare në vitet ’30. Po botoj pra këtu në “Panorama” bashkëngjitur këtij shkrimi një dokument fantastik. E shihni që është kreu (“apertura”) e pabesueshme, por autentike e faqes së parë të gazetës shqiptare “Sporti popullor” të 21 shkurtit 1962.

Shihni se çka ka shkruar pa i lëvizur qerpiku i syrit: “U krijua Federata Shqiptare e Futbollit!” Ky titull atje lart thuajse mbi testaton (kreun) e gazetës së vetme sportive të vendit, në vërtetim të mashtrimit të historisë, edhe sot ia vlen të bëjë rrethin (xhiron) e botës sportive futbollistike të rruzullit. Pra që regjimi themelonte më 1962 Federatën Shqiptare të Futbollit, atë federatë që kishte plot 32 vjet (1930) që ishte themeluar dhe plot 30 vjet (1932) që ishte anëtare e FIFA-s!

Themelonte atë “Federatë”, në një kohë madje kur deri sot kemi të ruajtur e stërnjohur deri dhe ftesën zyrtare të FIFA-s për të marrë Shqipëria pjesë në Kampionatin Botëror të vitit 1938. Nuk e kishte për gjë regjimi i Mbasluftës përderisa për 45 vjet të tij me vetëdije kishte mohuar madje të gjithë kampionatet e kohës së Mbretërisë, ata të 6 titujve të Sportklub Tiranës dhe 1 të Skënderbeut të Korçës të viteve ’30. Ne na mbërrinin botimet e FIFA-s këtu në Tiranë duke vënë “Librin e Artë” të Kampionateve të Shqipërisë edhe me 7 edicionet e viteve ’30.

Ndërsa ne, Kampionatit Kombëtar, atij të vitit 1945, i thoshim “zyrtarisht” Kampionati i 1-rë. Parulla ishte: gjithç- ka vetëm mbas vitit 1944!

5.

Tash, po ju ftoj të shihni me vëmendje këto “frontespic” të faqeve të shtypit ‘39-‘40 që shoqërojnë këtë shkrim dhe që i kam botuar edhe në librin tim. Do të lexoni krejt qartë këta titujdokument, që nuk kanë nevojë për asnjë koment dhe për asnjë përkufizim absurd të sotëm që “janë njohur” apo “nuk janë njohur”. Tek janë: “Kampionati shqiptar i foot-ballit do të fillojë simvjet më 1 korrik”! “Për të parën herë Shkodra fiton Kampionatin Kombëtar të Futbollit”! Nuk janë rrêna.

Janë tituj, dokument të viteve ‘39-‘40. Morali i fabulës së këtushme, qëndron megjithatë edhe në më të rëndësishmen e gjithë kësaj tirade. Sot Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk merret assesi me historinë e sportit të saj kombëtar. Thuajse e ka përjashtuar nga historia. Kushedi sa vjet keni pa dëgjuar të përkujtohet një datë themelimi i ngjarjeve të mëdha sportive të historisë mbarëkombëtare.

Si të mos ishte sporti pjesë e historisë së një populli. Ndonëse ka edhe një Komitet Olimpik e Federata Sportive, e sidomos një Universitet të Sporteve. Ndonëse ka profesorë e doktorë me tituj edhe në fushën e edukimit apo të kulturës fizike e sporteve. Ndonëse nuk di a ka një libër përsëmbari të paanshëm e të vërtetë, prej të cilit të mësohet në këtë Universitet historia e saktë e sportit kombëtar, ecuria dhe zhvillimet e tij në të gjitha kohërat.

Me çka kam pa e dëgjuar, jam i bindur se po t’i marrësh në “provim” studentët, madje edhe pedagogët e tyre e t’i pyesësh bie fjala, se “sa është rekordi i 100 metrave në Shqipëri”, as këtë shifër “mikroskopike” (10.56 Arben Makaj) nuk besoj se e dinë. Sepse edhe këta që do të bëjnë edukimin fizik të rinisë shqiptare e kanë mendjen vetëm te Cristiano Ronaldo-t e Real-at, te Messi-at e Barcelona-t, te Juventus-at e Seria A-të.

Mjerë ne! A mos është një shkak edhe ky mosmësim përsëmbari i historisë kombëtare sportive që sporti shqiptar ka rënë kaq poshtë, sidomos këto vitet e fundit? Them se po, sepse pa ditur se nga ke ardhur, nuk mund ta dish se ku do të shkosh. Ky është ligj i zhvillimit historik të një kombi.

Për shembull, pa i njohur mirë, pa i ditur se ku janë “fshehur”, pa u botuar rregullisht diku dhe shpesh rekordet kombëtare të notit dhe të atletikës së lehtë, as nuk e di se çka duhet përmirësuar apo çuar më tej.

Sidoqoftë, të vjen shumë mirë që gazeta “Panorama” u bë gazeta e parë e përditshme josportive që botoi historinë statistikore të fituesve të Kampionatit të Shqipërisë. Është thjesht një shej krejt i vogël, por që nxit tema të mëdha. E ndoshta diçka mund ndërrojë për mirë. Ndonëse të dielën prapë pata një zhgënjim të rrufeshëm. Asnjë gazetë e përditshme josportive nuk dha lajmin se për herë të parë në historinë e Shqipërisë një atlet shqiptar, Izmir Smajlaj, kaloi kufirin e 8 metrave (8.03) në kërcimin së gjati, çka përbën një ngjarje të madhe historike për sportin kombëtar.

Ndërkohë, nuk mbeti gazetë pa i dhënë hapë- sirë përfundimit të Kupës së Italisë e të Anglisë! “T’a dijë Shqypnija / Pra, e sheklli mbarë, /Se mâ mbas sodit / Un s’jam Shqyptar”, siç pat ironizuar Fishta pseudoatdhetarët te e famshmja “Metamorphosis” e tij. Ai Fishtë që për ta krijoi deri dhe përcaktimin unikal, duke i quajtur “sportista me i gjysë mushknije”.

E këta të sotmit, para se të jenë shqiptarë, janë “juventinë” e “madrilenë”. Madje, këtë e thonë jo me zë të ulët që të mos dëgjojë ndokush, por duke thërritur deri në kupë të qiellit edhe në ekranet e televizioneve!…

Tash po e mbyll duke i bërë “Panorama”-s një “errata corrige” (“ndreqje gabimi”) të shpejtë, teksa po shënoj këtu historinë statistikore të vërtetë të kampionëve të Shqipërisë të periudhës së Paraluftës.

Është kjo: 1930 SK Tirana; 1931 SK Tirana; 1932 SK Tirana; 1933 Skënderbeu; 1934 SK Tirana; 1936 SK Tirana; 1937 SK Tirana; 1939 SK Tirana; 1940 Vllaznia; 1942 SK Tirana Një herë tjetër, teksa kemi përftuar zbulime të reja, do të tregojmë ndeshjet “e paharrueshme” të futbollit të skuadrës së kryeqytetit tonë me skuadrat e Wehrmachtit pushtues gjerman në gusht, shtatorin e vitit 1944. Pranë të cilave gjithashtu nuk mund të shkruash “nuk u njohën”.

Sepse për fatin e keq a të mirë, edhe ato janë luajtur mu në mes të Tiranës, në fushën sportive me pistë e fushë futbolli bukur të mirë, që ishte Shallvarja e një historie. Ajo ka qenë aty ku sot është bar-restorant “Taivani”, rrugës para të cilit pata propozuar t’i vinin emrin “Riza Lushta”, futbollisti i parë shqiptar i përmasave europiane i rritur mu prej kësaj toke ku sot është rruga në fjalë. Mirëpo, natyrisht që kjo nuk emocionoi kënd në Shqipëri. Punë fashizmi edhe kjo.

Fashizmit, të cilët ia deshëm fort Stadiumin Kombëtar që ndërtoi Operën e Kryeministrinë me bulevardin ultramodern, ndërtesën ende të Teatrit Kombëtar, atë impozante të Universitetit; e madje ia deshëm aq fort sidomos lojtarët e futbollit të viteve të tij për të fituar Kampionatin Ballkanik. Me vetëm një përjashtim: nuk ia duan tre kampionatet kombëtare të futbollit 1939, 1940, 1942.

Për fat, mosdashësit janë shumë të paktë dhe s’kanë fuqi ta bëjnë këtë. Po ç’rëndësi ka në fund të fundit! Tre kampionatet janë aty. Të ndodhur, të njohur e të stërnjohura falë vërtetësisë historike. Që s’ka fanatik e i paditur që mund t’i zhdukë.

Exit mobile version