Gentian Gaba
Nga mesi i shekullit XIX deri në mesin e shekullit XX, “Çështja gjermane” ishte një nga dilemat kryesore të gjeopolitikës botërore. Çështja gjermane, për ta thënë thjesht, përqendrohej mbi rrezikun e krijimit të një shteti të fuqishëm në qendër të Evropës nëpërmjet bashkimit të popullsisë gjermanfolëse. Fundi i luftërave napoleonike pruri afirmimin e një ndjenje nacionaliste në atë pikë sa problemi i bashkimit gjerman, i lënë pas dore ndër shekuj, dominoi historinë e Gjermanisë moderne.
Zgjidhja e kësaj çështjeje erdhi nëpërmjet – sikurse parashikonte Bismarku – gjakut dhe çelikut. Dy luftëra të mëdha dhe katastrofike sollën dhunë dhe shkatërrim në të gjithë Evropën, duke lënë Gjermaninë të mposhtur dhe të ndarë. Nga momenti i bashkimit në 1990, rënia demografike dhe ndryshimet kulturore zbehën frikën ndaj Berlinit dhe një Gjermani e bashkuar nuk përcillte më makthin e dikurshëm. Edhe pse politikani italian Giulio Andreotti do të shprehej ato vite në këtë mënyrë: “E dua aq shumë Gjermaninë saqë do preferoja të kemi dy”, mbizotërimi i Bundestagut mbi Bashkimin Evropian dhe fuqia ekonomike nuk perceptohen sot si kërcënime.
E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Rusinë, e cila është bërë më agresive edhe pse rëndësia e saj ekonomike është mpakur. Një nga temat kryesore të gjeopolitikës së këtij shekulli do të jetë: Cilën trajektore do të marrë Moska? Ashtu si çështja gjermane, çështja ruse vjen si pasojë e pozicionit qendror të gjigantit euroaziatik. Shtrirja gjeografike e Gjermanisë ishte dhe është qendrore për Evropën. Në kulmin e tij, Reich gjerman shtrihej nga Koblenz në Konigsberg, nga brigjet e lumit Rhein në plazhet e Baltikut.
Rusia është sot qendrore në aspektin global. Ishte e vetmja nga perandoritë kryesore evropiane që shtihej në Azi nëpërmjet tokës dhe jo nëpërmjet detit. Bashkimi Sovjetik u dorëzua në mënyrë paqësore 26 vite më parë. Megjithatë, Federata Ruse shtrihet ende nga Kaliningradi – emri me të cilin njihet qyteti i Konigsbergut nga aneksimi rus i 1945 – në Vladivostok, 4.500 milje dhe 10 zona kohore larg. “Rusia është një fuqi unike euroaziatike, e cila shtrihet përgjatë dy kontinenteve, por nuk ndihet në shtëpinë e vet në asnjërin prej të dyve”, pohon Kissinger për të. Dimensionet e saj e bëjnë atë një aktor jo të parashikueshëm për rendin botëror, ndoshta mund të jetë fuqia më pak e interesuar për këtë rend. Për këtë arsye ajo vepron nëpërmjet një taktike ndërkombëtare që synon përçarjen e atyre fronteve ku perëndimorët shtrijnë interesat e tyre, nga Baltiku, në Lindjen e Mesme dhe në Ballkan.
“Ballkani prodhon më shumë histori se sa Evropa mund të konsumojë”, kështu shprehej Winston Churchill për rajonin tonë. Ndër shekuj sasia e historisë të prodhuar në këto troje ka lënë hapur disa plagë që nuk janë shëruar kurrë. Tensionet atavike që ngrihen në këtë pellg të rrëmujshëm nacionalizmash kanë në thelb një çështje që nuk ka gjetur zgjidhje në shekullin e shkuar, por mbi të cilën janë hedhur themele të brishta që lëkunden në periudhat e pasigurisë ndërkombëtare: çështja shqiptare.
Marrëveshja e padrejtë e paqes së Versailles që shënoi fundin e Luftës së Parë Botërore u shndërrua në shkakun kryesor të Luftës së Dytë Botërore. Traktati i Londrës i 1913, i cili vulosi ndarjen e padrejtë të shqiptarëve, është nyja Gordiane që mban gjallë fantazmat e luftës në Ballkanin Perëndimor. Thyerja e unitetit të popullit shqipfolës ka krijuar premisat e ekzistencës së një çështjeje që është spekulare me atë gjermane dhe atë ruse, ndarja në shtete të ndryshme dhe pozicioni qendror i popullit shqiptar në shtrirjen rajonale. Nëse Vuçiç flet pa problem dhe pa trysni për kthimin e “Jugosllavisë”, duke përfshirë edhe Shqipërinë në të, pse në vitin 2017 çështja shqiptare duhet të mbetet një “fjalë turpi” që thyhen sensibilitetin e shteteve fqinje?
Në klimën e një kompeticioni të theksuar midis SHBA-NATO-BE dhe Rusisë, çështja shqiptare duhet vendosur në agjendën kombëtare dhe ndërkombëtare pasi përbën condicio sine qua non për stabilitetin dhe paqen në rajon. Nuk mjaftojnë qëndrimet sporadike dhe kërcënuese ndaj Bashkimit Evropian, sikurse dëshmon deklarata e kryeministrit Rama për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nëse nuk integrohemi në BE. Dilema mbi të ardhmen e shqiptarëve duhet të kalojnë nëpërmjet zgjidhjes së kësaj nyje historike; me negociata për rishikimin e traktatit të Londrës dhe protokollit të Firences ose nëpërmjet shpatës, sikurse e zgjidhi Aleksandri i Madh nyjën e lashtë, pra nëpërmjet “gjakut dhe çelikut”, për të cituar përsëri Bismarkun mbi çështjen gjermane.
Natyra e interesit tonë kombëtar, shpërndarja gjeografike e shqiptarëve dhe marrëdhëniet tona strategjike me fuqitë botërore konkurruese diktojnë se tempi historik dhe gjeopolitik për çështjen shqiptare ka ardhur. Nëse Ballkani do të jetë fushëbeteja e ardhshme për SHBA dhe Rusinë, siç paralajmërojnë edhe ekspertët ndërkombëtarë, ne do të jemi qendra e kësaj përplasjeje. Me ardhjen e Trumpit po dëgjohen daullet e luftës, nëse ajo do të vijë, plaçka e saj për ne do të jetë Shqipëria e Madhe.