Ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu ka shprehur pakënaqësi për procesin gjyqësor për dosjen Gërdeci, duke thënë se nuk ka asnjë interes për të zbardhur të vërtetën.
Në daljen për mediat, në përfundim të seancës gjyqësore, Mediu këmbënguli për një akt-ekspertim të ri.
“Pres një proces të drejtë, jo sa për të qenë. Unë jam këtu për të vërtetën dhe nuk dua të bëj as manovra politike dhe as juridike, nuk ka asnjë interes që të zbardhet e vërteta. Është një gjë që është një rrugë pa krye, le të bëjnë një akt ekspertimit të ri. Prokuroria ka ndërtuar akuzë dhe prokuroaria duhet të thotë se ku janë përgjegjësitë e ministrit dhe në këtë akt ka dhe çështje që nuk lidhen me procesin apo ministrin”, tha Mediu.
Ndërsa në gjykatë, avokati mbrojtës i Mediut, përdori edhe termin “telekomanduar”, referuar gjykatëses. Sipas tij, gjykatësja ndërhynte sa herë që bëheshin pyetje nga mbrojtja madje u thoshte ekspertëve “që të mos përgjigjeshin.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në procedurat për ngritjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec. Akt-ekspertimi, që sot Mediu kërkon një të ri, tregoi se shtetit shqiptar iu shkaktua një dëm prej 59 mln lekësh.