Pas arrestimit të drejtorit të VisaMetric-ut, qytetarët kanë rrëfyer përvojat e tyre të hidhura me kompaninë.
Është Naim Azizi ai i cili është lidhur në lidhje telefonike në studion e “Debat Plus” për të treguar përvojën e tij me pagesat e detyrueshme të kompanisë “VisaMetric”.
Azizi ka thënë se ndonëse pagesën e kishin kryer nga Gjermania, të afërmit e tij në Kosovë paguan prapë shtunën prej 120 eurosh, pa asnjë arsyetim.
“Para vitit të ri, u kemi bërë ftesën prindërve të bashkëshortes dhe i kemi bërë të gjitha terminet online nga Gjermania dhe kemi bërë pagesën online. Pasi i kemi përfunduar, pasi i kemi plotësuar formularët në gjuhën gjermane dhe i kemi bërë pagesat nga Gjermania, të njëjtat pagesa janë detyruar t’i bëjnë prapë në Prishtinë, prej 120 euro. I kemi bërë pagesat këtu menjëherë kur aplikuam…kemi paguar në llogari të VisaMetric. Kur kanë shkuar të aplikojnë për vizë, janë detyruar të paguajnë edhe njëherë 120 euro, pa kurrfarë arsyetimi. Të gjitha fletëpagesat ua dërguam prindërve të të shoqes në Kosovë…VisaMetric i detyroi prapë”, ka deklaruar ai.
I njëjti ka treguar se e shoqja e tij i kishte dërguar një e-mail kompanisë në fjalë.
Megjithatë, nga e njëjta nuk ka pranuar përgjigje.
Për muaj të tërë, “VisaMetric” ka detyruar qytetarët e Kosovës që të paguajnë shumën prej 30 eurosh për dorëzimin e pasaportës nga lokacioni i kësaj kompanie e deri te shtëpitë e tyre.
Drejtori i “VisaMetric” është ndaluar për 48 orë, për shkak të moszbatimit të vendimit gjyqësor, ku i ndalohej të kërkonte 30 euro shtesë nga qytetarët për shërbimet e pasaportës.
Prokuroria Themelore e Prishtinës bëri të ditur se ndalimi i tij është bërë pas marrjes së deklaratës.
”Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve hetimore lidhur me rastin “Visametric”, Prokurorja e Shtetit, sot pas marrjes së deklaratës nga i pandehuri S.O., (shtetas turk), drejtor i këtij subjekti, me aktvendim mbi ndalim e ka ndaluar të njëjtin në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”, nga neni 394, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”.