Site icon Telegrafi

Çështja e Luginës së Preshevës, Haziri reagon ndaj Haradinajt – pasi ky i fundit e quajti shakaxhi (Video)

Nënkryetari i LDK-së, njëherësh kryetar i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka komentuar idenë që ka dhënë Haziri për pozicionin e Luginës së Preshevës.

Kryeministri Haradinaj, në “Debat Plus” në RTV Dukagjini, e ka quajtur Hazirin si një “hajgaregxhi” i cili sipas tij po lufton për interesa elektorale.

“Luta është një shakaxhi për të marrë votat e preshevarëve me Anamoravë. Ai e mbanë gjallë këtë temë në vazhdimësi vetëm për qëllime elektorale”, ka deklaruar Haradinaj, përcjell Telegrafi.

Dhe menjëherë pas kësaj, ka ardhur edhe reagimi i Lutfi Hazirit.

Ai përmes një postim në Facebook ka thënë se nëse për Haradinajn, çështja e Preshevës është edhe e rrezikshme, hajgare, por edhe punë votash, për të është vetëm borxh politik dhe padrejtësi historike mos me e zgjidhë këtë proces.

“Koha ka ardhë”, ka shkruar Haziri.

Megjithatë, siç ka shtuar ai, fatkeqësisht, “koalicioni i vendimeve të mëdha” dhe frikacakëve po udhëheq.

Lexo po ashtu Haradinaj: Lutfi Haziri është një shakaxhi, synon votat e preshevarëve (Video)

Postimi i plotë i Hazirit në Facebook:

Në vend të reagimit per kryeministrin Haradinaj

Kam besu që proceset e rënda politike nuk i përkthen në hajgare, sikur që kam besu që janë përgjegjësi e madhe dhe duhet unitet e koncensus i gjerë politik. Lindja e Kosovës dhe komunat e saj që mbetën “brenda” Serbisë, kërkojnë zgjidhje politike.

Ka katër vite qe ju kam paralajmëruar për këtë dhe kam paraqitur opsion të përgjeshëm politik. Ish kryeministri Thaçi e quajti të rrezikshëm atëherë. Tash ju po e quani hajgare e punë votash.

Për ju ështe edhe e rrezikshme, edhe hajgare, e edhe punë votash. Por, për mua është vetëm borxh politik dhe padrejtësi historike mos me e zgjidhë këtë proces. Koha ka ardhë.

Por, fatkeqësisht, ‘koalicioni i vendimeve të mëdha’ dhe frikacakëve po udhëheq. Nëse është kështu puna e hajgarexhive!(sic) /Telegrafi/

Exit mobile version