Site icon Telegrafi

Çështja e borxheve të ambalazhuesve të ujit- Izedin Bytyqit i vazhdohet arresti shtëpiak, e Naser Hafizit paraburgimi

Gjykata Themelore e Prishtinës, Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit Naser Hafizi.

Të pandehurit Hafizi i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri më 10.01.2025.

“Referuar kërkesës tuaj për informata,  ju njoftojmë se më datë 08.11.2024 Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit, në çështjen penale ndaj të pandehurit N.H. Të pandehurit N.H i është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj, respektivisht nga data 10.11.2024 deri më 10.01.2025”, tha për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi.

Lexo po ashtu Dosja e Prokurorisë për Naser Hafizin: Sa banesa s’i deklaroi dhe ç’bënte me paratë e fituara kundërligjshëm?

Ndërkaq edhe të pandehurit tjetër, Izedin Bytyqi i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak për një muaj.

“Po ashtu Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak në çështjen penale ndaj të pandehurit I.B. Të pandehurit I.B i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaj, respektivisht deri më datë 08.12.2024”, tha Gashi.

Naser Hafizi, i cili mban pozitën ushtruesit të detyrës së drejtorit të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ishte arrestuar më 10 tetor 2024 nën dyshimin për “Keqpërdorim të detyrës e autoritetit zyrtar”, “Shpëlarje të parave” dhe “Mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë të të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër pasurore ose i detyrimeve financiare”.

Ndërkaq, Izedin Bytyqi dyshohet se ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare dhe me dashje ka tejkaluar kompetencat e tij, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës si dhe udhëzimin për strukturën e pagesave ujore, duke e anashkaluar në tërësi raportin e grupit ministror i cili ishte formuar me qëllim për të përllogaritur borxhin për ambalazhuesve ndaj ARPL, sipas të cilit raport vlera e përgjithshme e borxheve të krijuara nga këta operatorë ekonomikë është 19,297,447.47 euro. /Telegrafi/

 

 

Exit mobile version