Zenel Bunjaku, drejtor ekzekutiv i Iniciativës për Zhvillimin e Bujqësisë së Kosovës (IADK), ka thënë se ky projekt ka krijuar platformën për politikëbërje pjesëmarrëse për rigjenerim ekonomik, krijimin e vendeve të punës, pajtimin dhe bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. “Projekti ka krijuar qendra demonstruese bujqësore në të cilat trajnohen fermerët e rajonit mbi praktikat e avancuara të farmingut”, ka thënë Bunjaku, duke përmendur model fermën e lopëve qumështore në fshatin Dolak të Vushtrrisë, pastaj model fermën e dhive në Kutllovc të Mitrovicës.
Ai theksoi në lidhje me model fermën e dhive në fshatin Kutllovc se përfituesi i kësaj ferme, Ganimete Abazi me bashkëshortin Januz Abazi, kanë përfituar pajisjet dhe materialin ndërtimor për ndërtimin e fermës në vlerë prej rreth 42 mijë euro, e cila do të ketë kapacitetin e mbajtjes për 100 dhi dhe do të shërbejë si model për fermerët e rajonit të Mitrovicës të cilët merren me këtë veprimtari, raporton Kosovapress.
Bajram Imeri, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë foli për bashkëpunimin e mirë mes Ministrisë së Bujqësisë dhe IADK-së. Ai tha se skemat mbështetëse të bujqësisë veç sa janë zgjeruar deri tani, ndërsa sa i përket fermave model, kërkesat janë të mëdha që në të ardhmen të ketë sa më shumë ferma të tilla.
Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, falënderoi Këshillin Evropian, pa ndihmën e së cilës, siç tha ai, nuk do të mund të arriheshin këto rezultate në këtë sektor. “Me angazhimet e juaja keni bërë që të mendohet krejtësisht ndryshe sa i përket zhvillimit ekonomik në rajonin e Mitroovicës”, tha Kastrati, duke shtuar se IADK-ja është duke ndihmuar shumë qytetarët në zhvillimin e bujqësisë. /Telegrafi/