Telegrafi

Viktimat e gjenocidit rus, që gjetën shpëtim edhe në Kosovë: Çerkezët, populli i bukur sykaltër (Foto)

Kalorës të jashtëzakonshëm, trima të mëdhenj, besimtarë të devotshëm, të bukur… Janë këto disa nga karakteristikat e çerkezëve, popullit i cili njihet më njërën nga historitë më të trishta në historinë e njerëzimit.

KUSH JANË ÇERKEZËT, SI U DËBUAN NGA ÇIRKEZIA DHE SI U VENDOSËN NË KOSOVË?

Çerkezët kanë origjinën nga Kaukazi Perëndimor, nga vendi i njohur si Çirkezia. Kjo popullatë myslimane u bë trup-mburojë kryesore e avancimit rus në Kaukaz, atëherë kur politika ruse e carit Aleksandër, në vitin 1820 ishte drejtuar gradualisht kah Kaukazi Verior.

Pikturë që shfaq luftën ruso-çerkeze

Kjo luftë ka rezultuar me rezistencë të ashpër të popullatës vendase. Por, pas pushtimit, Rusia e përvetëson territori dhe në vitin 1857, rusi Dmitri Millutin proklamon idenë për dëbimin masiv të popullatës çerkeze.

Largimi i tyre bëhej kryesisht në drejtim të territoreve të sunduara nga Perandoria Osmane. Duke u larguar nëpërmjet Detit të Zi, shumë prej tyre kishin humbur jetën në det.

Sipas studiuesit Jusuf Osmani, llogaritet se prej vitit 1860-1870 në Kosovë janë vendosur deri në 40 mijë çerkezë. Ai thotë se pushteti osman çerkezët i shpërndau në mbi 30 vendbanime në Kosovë.

Lexo po ashtu Fotografi e rrallë e Hasan Prishtinës me gruan e tij

Duhet cekur se çerkezët Sulltani i vendosi këtu si popull që i binden dhe që mbrojnë ekskluzivisht interesat e Perandorisë Osmane. Ndërsa, gruaja e Hasan Prishtinës ishte çerkeze.

 Rusia nuk pranon se ka kryer gjenocid ndaj çerkezëve

Osmani, që është profesor i Fakultetit Filozofik, në vitin 2014 e ka botuar një libër për lokalitetet në të cilat kanë jetuar dhe jetojnë aktualisht çerkezët. Në librin “Çerkezët në Kosovë”, thuhet se komunitetet çerkeze ishin të njohura për punimin e metalit dhe rritjen e kuajve. Ata po ashtu merreshin me blegtori.

Gjatë vendosjes në Kosovë, përveçqë ishin bërë pjesë e vendbanimeve ekzistente, kishin themeluar edhe vendbanime të reja.

Sot janë ata të paktë në numër, pasi pjesa dërrmuese e tyre, pas ardhjes së kolonëve serbë në Kosovë, kishin vendosur të shpërngulën në Turqi.

PSE SHQIPTARËT NUK I DONIN NË FILLIM ÇERKEZËT DHE CILAT ISHIN PARAGJYKIMET PËR TA?

Studiuesi i njohur anglez, Noel Malcom, në librin e tij “Kosova”, për çerkezët shkruan se meqë ishin luftarakë, të gatshëm të luftonin me dëshirë kundër përparimit të cilitdo shteti të krishterë në territorin mysliman, pushteti osman vendosi një numër të madhe refugjatësh çerkezë në territoret ballkanase të Perandorisë Osmane. Numri i përgjithshëm i tyre duhet të ketë qenë mes 150,000 dhe 200,000.

Një shtëpi tradicionale çerkeze

Në Kosovë u formuan afro 30 fshatra me kolonët çerkezë, në pjesën lindore të Kosovës. Disa sish ishin ngulime të mëdha të përbëra nga 100 familje, por shumica ishin me 40-50 familje më së shumti.

Sipas kujtesës së vetë çerkezëve, në Kosovë dikur ishin 2,000 familje, kurse numri i përgjithshëm i tyre nuk ishte pak më i madh se 12,000.

Kushtet e tyre ishin të vështira dhe pas varfërisë në të cilën ishin katandisur gjatë shpërnguljes, shumë sosh vdiqën nga epidemitë. Megjithëse çerkezët në Kosovë ishin të përjashtuar nga taksat, ata prapëseprapë e kishin të vështirë për të çuar një jetë të mirë, prandaj disa pre tyre ngritën krye, por Ushtria osmane i ktheu sërish në fshatrat e tyre.

Çerkezët në veshjen e tyre tradicionale

Meqë nuk ishin mësuar të merreshin me bujqësi, ata u morën kryesisht me dy zanate: me përpunimin e metaleve (sidomos me filigraninë ruse të stilit “tula”, për stolisjen e armëve dhe me prodhimin e dorezave të kamxhikëve), dhe me rritjen e kuajve. Pikërisht për shkak të kësaj veprimtarie të fundit, atyre u pat dalë edhe nami si vjedhës kuajsh.

Si shqiptarët ashtu edhe serbët, i konsideronin çerkezët si popull i egër dhe primitiv, dhe veçanërisht u bënte përshtypje fakti që ata hanin edhe mish kali. Po kështu ishte përhapur njëfarë besimi se ata i shisnin fëmijët si bagëtinë. Një shqyrtim më i hollësishëm i kësaj çështjeje më 1925, sqaroi si vijon: Ato familje të cilat kishin qenë të pasura në vendlindjen e tyre, kishin sjell me vete robërit, të cilët i kishin pasur si shërbëtorë shtëpish. Disa sosh kishin familje të tëra robërish, kështu që adeti i tyre normal që ishte që t‘i shisnin fëmijët e skllevërve. Mirëpo, meqë autoritetet osmane në fund të shekullit XIX po bënin përpjekje që të zhduknin skllavërinë, çerkezët pretendonin (duke bërë një përpjekje të çuditshme për ta paraqitur aktin e tyre si më pak të dhunshëm ) se ata fëmijë ishin të tyre.

Fëmijët çerkezë me kostume dhe flamurin kombëtar

Çerkezët e Kosovës u përdorën si trupa ndihmëse në shtypjen e kryengritjes bullgare të vitit 1876, si dhe në luftërat e viteve 1877-78. Pas kësaj date, një numër më i vogël çerkezësh, që kishin qenë të vendosur në rajonin e Nishit, u dëbuan nga serbët dhe u shpërngulën në Azinë e Vogël dhe në Siri, e shumë çerkezë të Kosovë vendosën t’ju bashkohen. Nga fundi i vitit 1890, numri i tyre në Kosovë ka qenë 6,400. Një shpërngulje më e madhe e tyre ndodhi pas vitit 1912 e pastaj më 1918.

Valltarë çerkezë

Më 1931, kur një antropolog austriak erdhi për të gjurmuar ata në Kosovë, thotë se mezi gjeti 50 familje “kaukazësh sykaltër” në fshati Stanoc të Poshtëm, që flisnin çerkezisht, turqisht shqip dhe serbisht. Ai po ashtu shtoi se të gjithë burrat ishin “modele meshkujsh të bukur”!

ADEM ÇERKEZI, DJALI I BALLISTIT E BABAI I DËSHMORIT, RRËFEN PËR JETËN E TIJ SI ÇERKEZ I KOSOVËS

Ademi Çerkezi është babai i një dëshmori që dha jetën në luftën e fundit në Kosovë. Plaku 75-vjeçar thotë se ndonëse sot janë të paktë në numër, ata ende e ruajnë kujtesën për identitetin e tyre.

Adem Çerkezi: Shumë çerkezë janë shkruar shqiptarë, për inati të serbëve

Ai është rritur ndër shqiptarë, ndërsa edhe nëna e edhe bashkëshortja e tij ishin shqiptare. Plaku, në sytë e të cilit dallohen mollëzat e kuqe, sytë e ngrehur e të kaltër – tipare dalluese të një çerkezi – thotë se që nga fëmijëria e tij është shoqëruar me historinë e dhimbshme të të parëve të tij, të cilët u larguan dhunshëm nga atdheu i tyre.

“Unë kam lindur në Dumosh të Podujevës. Pastaj kemi ardhur në Obiliq”, ka thënë ai për Telegrafin.

Ademi tregon se babai i tij e kishte folur çerkezishtën, por që ky e kishte harruar gjuhën e të parëve.

“Çerkezishtën e kemi folur në shtëpi. Por, pas vdekjes së gjyshes nuk është se kemi komunikuar. Ndaj, nisa ta harroj”, shprehet ai, duke pranuar se është penduar për këtë. “Më kujtohen të vjetërit që thoshin se është mirë me i pas shtatë kalema. Ata kanë menduar që është mirë më i ditë shtatë gjuhë. Dija është shumë e rëndësishme në jetë”.

Kalërimi është tradita çerkeze që vazhdon të ruhet nga familja e tij në Obiliq

Çerkezi mendon se shkollimi dhe feja janë dy binarët që njeriu nuk duhet t’i lëshojë asnjëherë gjatë jetës së tij, në çka i inkurajon të angazhohen nipërit dhe mbesat e tij.

Ndërsa, duke folur për numrin e çerkezëve në Kosovë, thotë se nuk di ndonjë statistikë zyrtare.

“Numri i çerkezëve ka qenë më i madh. Disa janë shpërngulur nga Kosova, derisa disa të tjerë nëpër kohë janë shkruar si shqiptar. Kjo ka ndodhur sepse edhe çerkezët, sikurse shqiptarët, e kanë pasur të njëjtin armik. Arsyeja pse disa çerkezë janë shkruar si shqiptarë është që shqiptarët të dominonin sa më shumë në raport më serbët”, ka shtuar ai.

Babai i dëshmorit thotë se familja e tij asnjëherë dhe në asnjë rast nuk i ka lënë mëngut shqiptarëve në kontributin e tyre për Kosovën.

Me filxhanin që ngjall kujtimet për fatin e popullit të tij: Rusët kryen gjenocid ndaj nesh

“Babai im ka qenë ballist, që për shkak të vështirësive nga komunistët jugosllavë është dashur që ta ndryshojë edhe emrin. Edhe pse emri i tij i vërtetë ishte Asllan, më vonë të gjithë e njihnin si Biqë. Ka qenë i përndjekur nga jugosllavët. Djali im Avdullahu, ka rënë dëshmor në Koshare”, ka theksuar ai.

I biri i Ademit, Avdullahu, kishte ardhur nga mërgimi dhe ishte bërë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Tash, një rrugë në këtë qytezë mban emrin e tij.

ATË QË RUSËT UA BËNË ÇERKEZËVE DIKUR, SERBËT DONIN T’UA BËNIN SHQIPTARËVE

Duke folur për traditën dhe zakonet e çerkezëve, Ademi tregon se e ruajnë më fanatizëm marrjen me kalërim.

“E kemi përcjell brez pas brezi. Madje, edhe nipërit dinë të kalërojnë. Kemi fituar edhe çmime nëpër gara të kalërimit. Kemi edhe kuaj të cilët i mbajnë këtu afër shtëpisë”, ka shtuar ai.

75-vjeçari thotë se ka pak trashëgimi të prekshme nga të parët dhe se për këtë i vjen shumë keq. Por, me mall i tregon disa filxhanë dhe një qelibar, të cilët kanë mbetur qysh prej kohës së stërgjyshërve të tij.

Qelibari i stërgjysheve dhe fati i njëjtë i çerkezëve me atë të shqiptarëve: Emrin e djalit, Avdullah Çerkezi, e mban një rrugë në Obiliq

Çerkezi thotë se me shqiptarët çdo herë kanë pasur raporte të shkëlqyeshme, madje shton se është shqiptar po aq sa është çerkez, pasi nënën e ka shqiptare.

“Unë jam pak më në moshë. Por nipërve ju flas për historinë e popullit tonë. Tragjedinë që e kemi pësuar. Duhet secili të ndihet krenar me identitetin e tij, pa i ardhur keq në asnjë moment. Nuk duhet të harrojmë kurrë”, ka shtuar ai.

Sipas tij, ekziton një histori e përafërt në mes shqiptarëve dhe çerkezëve.

“Atë që na bën neve rusët para më shumë se një shekulli, Serbia tentoi t’ua bëjë shqiptarëve gjatë viteve të ’90-ta, por që nuk ia arriti”, ka shtuar ai.

75-vjeçari tregon se atë e vizitojnë shumë persona nga ky komunitet që jeton në Kosovë. Madje shprehet se ka vizita të shumta nga çerkezët që jetojnë jashtë Kosovës, me një pjesë të të cilëve ka edhe edhe lidhje familjare. /Telegrafi/

Bukuria çerkeze: Një aristokrate e fundit të shekullit XIX