Kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkoviq dhe homologu i tij slloven Miro Cerar kanë diskutuar sot përmes telefonit për vendimin e gjykatës së arbitrazhit për kontestin kufitar të dyja vendeve dhe janë pajtuar që të mos ndërmarrin hapa të njëanshëm, njoftoi Qeveria e Kroacisë.
“Janë pajtuar që të mos ndërmarrin hapa të njëanshëm dhe se bisedime do të vazhdojnë më 12 korrik në Lubjanë, në prag të takimit të procesit të Berlinit në Trieste më 12 dhe 13 korrik”, thuhet në kumtesën e Qeverisë për bisedimet e dy kryeministrave.
Plenkoviq, siç thuhet, ka theksuar se Kroacia mbetet pranë vendimit të saj se vendimi i sotëm i Gjykatës së arbitrazhit në Hagë në asnjë mënyrë nuk është obligues dhe nuk do ta zbatojnë, derisa Cerar përsëriti qëndrimin e Sllovenisë për vendimin e Gjykatës së arbitrazhit në Hagë.
Ndryshe, Gjykata e arbitrazhit për kontestin kufitar Kroaci-Slloveni vendosi sot që Sllovenia të marrë nga Kroacia qasje në detin e hapur përmes korridorit të gjerë 2.5 mile nautike. Më herët ishte vendosur që pjesa më e madhe e Gjirit të Piranës i takon Sllovenisë.
Kroacia ka braktisur arbitrazhin në vitin 2015, pas skandalit në të cilin ishte përfshirë një gjyqtar slloven, transmeton KosovaPress.
Parlamenti kroat atëherë i propozoi Sllovenisë që të fillojnë bisedimet për zgjidhjen alternative të kontestit, pasi që ishte vlerësuar se procesi i arbitrazhit ishte kompromituar pakthyeshëm kur ishte zbuluar se përfaqësuesi slloven në gjykatën e arbitrazhit Jernej Sekolec dhe zyrtarja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sllovenisë Simona Drenik u pajtuan që të paraqesin argumentet sllovene dhe të lobojnë te gjyqtarët tjerë të arbitrazhit.