Site icon Telegrafi

Ceremoniali, Nishani-Meta e Rama, dhurata deri në 530 euro

Drejtuesit më të lartë të shtetit shqiptar do të jenë të kufizuar për të dhënë ose pranuar dhurata gjatë takimeve me homologët e tyre të huaj, deri në shumën 75 mijë lekë (rreth 530 euro). Kjo është përcaktuar në Ceremonialin Zyrtar, të miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave.

“Në rastet e vizitave, takimeve dhe në përgjithësi gjatë ushtrimit të detyrës shtetërore, personaliteteve të larta të shtetit u jepen dhurata nga njerëz dhe institucione. Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, shkëmbejnë dhurata në shenjë kortezhe me personalitetet e huaja homologe”, thuhet në Ceremonialin e Shtetit Shqiptar. Në dokument përcaktohet se “vlera e dhuratës nuk duhet të kapërcejë kufijtë e mirësjelljes, rregullat apo limitet ligjore që shtete të ndryshme mund të kenë vendosur, si dhe reciprocitetin”. “Për çdo dhuratë duhet të dhënë hartohet dokumentacioni përkatës përshkrues. Institucionet rekomandohen të bëjnë personalizimin e dhuratat”, përcakton Ceremoniali.

Gjithashtu, Ceremoniali shprehet se, “autoritetet kryesore nuk i shkëmbejnë vetë dhuratat në takimet zyrtare, përveç rasteve të veçanta kur bihet dakord që më parë për këtë. “Në çdo rast tjetër, dhuratat shkëmbehen nëpërmjet protokolleve përkatëse. Protokolli i Shtetit ka të drejtë të japë dhurata në mungesë të autoriteteve të larta shqiptare dhe në emër të tyre”, theksohet në Ceremonial.

Më tej në dokumentin e miratuar nga qeveria përcaktohen edhe kufizimet për vlerën e dhuratave. “Të gjitha rangjet zyrtare, që kanë të drejtë të shkëmbejnë dhurata me homologë të huaj, mund të japin apo pranojnë të tilla deri në shumën 75 mijë lekë për çdo rast. Kjo shumë mund të kapërcehet vetëm në rastet kur personi, të cilit do t’i jepet dhurata, zë vend të veçantë për Shqipërinë. Çdo dhuratë regjistrohet në natyrën e saj, datën, vendin dhe arsyen për të cilën është dhënë”, thuhet në dokumentin e Ceremonialit. Aty përcaktohet se, “në rastet kur dhurata kalon shumën e përcaktuar me ligj, për të mos fyer dhuruesin mik dhe krijuar keqkuptime në marrëdhëniet midis vendeve, dhurata pranohet, por kthehet në pronë të shtetit shqiptar dhe bëhet pjesë e inventarit të institucionit që e ka pranuar. Ajo ekspozohet në vendin e duhur me sqarimin përkatës të dhuruesit”.

Exit mobile version