Site icon Telegrafi

Ceremonia qendrore e faljes së namazit të Bajramit u mbajt në xhaminë Mustafa Pasha në Shkup

Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup në kuadër të masave COVID-19.

Në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, mesazhin për Fitër Bajram e përcolli Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Qenan Ismaili.

Ai tha se po dalim nga një Ramazan i cili sivjet ishte pak më ndryshe por vetëm nga forma e jashtme e tij se brendia e muajit të bekuar të Ramazanit përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta ishte e pandryshuar sikur në 15 shekujt e shkuar të Islamit.

“Mbi atmosferën përplot dilema e ankthe që e krijoi COVID-19 ngadhënjeu besimi ynë ndaj Allahut të madhërishëm. Të nderuar besimtarë këtë Fitër Bajram po e presim me gëzim, me gëzimin të cilin e ndjen vetëm besimtari i vërtetë sepse Bajrami është festë që shpërblen agjërimin dhe ibadetet e tij”, tha Ismaili.

“Me këtë rast të përcjellim një falënderim të veçantë të përgjithshëm edhe shoqërisë administrativo- politike në Republikën e Maqedonisë e cila diti të vlerësojë dhe myslimanët e këtij nënqielli nuk i pengoi nga manifestimi i Fitër Bajramit”, tha kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi. Edhe në xhamitë tjera të Maqedonisë së Veriut mijëra besimtarë myslimanë falën namazin e Fitër Bajramit./alsat/

Exit mobile version