Site icon Telegrafi

Çerdhet publike në Prishtinë do të hapen më 10 gusht, Ahmeti sqaron punën e çerdheve private

Foto: Arkiv

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka dhënë disa sqarime lidhur me çerdhet në kryeqytet.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se çerdhet private nuk licencohen, nuk regjistrohen, nuk mbikëqyren dhe nuk hapen e mbyllen nga komunat.

Në këtë kohë pandemie Ahmeti thotë se është përgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Arsimit funksionimi apo mosfunksionimi i tyre, por assesi e komunave.

“Prindërit e fëmijëve në ato çerdhe bashkë me udhëheqësit e edukatoret e marrin përgjegjësinë për mbrojtjen nga COVID duke përdor udhëzuesin që e ka IKSHP”, ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti po ashtu ka njoftuar se çerdhet publike do të hapen më 10 gusht me protokollin e veçantë të hartuar nga Komuna.

Postimi i plotë:

Te nderuar prindër, edukatore e udhëheqës të institucioneve publike e private parashkollore.

Disa sqarime në lidhje me çerdhet në komunën tone

1. Çerdhet private NUK licencohen, nuk regjistrohen, nuk mbikëqyren dhe nuk hapen e mbyllen nga komunat. Meqenëse kjo kompetencë është mbajt në ministri të Arsimit. Pra një çerdhe private kur hapet, regjistrohet si biznes ne ARBK – nivel qendror, aplikojnë për licencë në Ministri të Arsimit dhe gjatë funksionimit nuk I raportojnë komunës, nuk mbikëqyren si institucion dhe në fakt edhe zyrtarisht nuk kemi lista të tyre.

Si të tilla, ato nuk mund të mbyllen nga Komuna. Në qoftë se Ministria vlerëson se janë jashtë standardeve, ato mbyllen nga Inspektorati I Ministrisë. Në qoftë se ndalohen për shkak të pandemisë ato vendime sikurse edhe çdo vendim tjetër merret nga Ministria e Shëndetësisë, pas rekomandimit nga IKSHP. Për funksionimin e tyre tani ka protokoll nga IKSHP dhe atë mund ta përdorin çerdhet private. Në qoftë se ka problem me funksionimin e tyre ,vendimet I merr MASHT e në qoftë se ka problem pandemie atë vendim e merr Ministria e Shëndetësisë. Prindërit e fëmijëve në ato çerdhe bashkë me udhëheqësit e edukatoret e marrin përgjegjësinë për mbrojtjen nga COVID duke përdor udhëzuesin që e ka IKSHP.

2. Çerdhet publike dhe ato me baze në komunitet do të hapen me 10 gusht (me përjashtime sipas rrethanave) me protokollin e veçantë të hartuar nga Komuna

a. Çdo prind duhet të raportojë për gjendjen në familje, për anëtarë të familjes të testuar, me dyshime dhe të testuar. Fëmijët me temperaturë nuk do të lejohen në çerdhe. Ata që shkelin këto rregulla do të çregjistrohen nga çerdhja.

b. Skenarët e veçanta për raste të konfirmuara pozitive prej mbylljes së klasës e deri te mbyllja e çerdhes

c. Edukatoret e klasave do të ndahen dhe do të qëndrojnë në klasë të veta pa kontakte me klasat e tjera. Ushqimi do të shërbehet nëpër klasa e jo në kantinën e përbashkët

d. Çerdhet do të dezinfektohen para hapjes dhe po ashtu edukatoret e çerdheve do të testohen me testet serologjike për të izoluar rastet që mund të jenë pozitive me virus.

Për të gjitha këto çerdhet do ti marrin detajet, ndërsa prindërit do të informohen nga çerdhja e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version