Telegrafi

Çerdhet në Komunën e Obiliqit nuk rihapen me 1 qershor

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka njoftuar prindërit, se rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër.

Gashi ka thënë se vendimi është marrë pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP “Rrita e Jonë”, duke vlerësuar se objekti i çerdhes duhet të i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur.

“Si rrjedhojë e dilemave të shumta, lidhur me rihapjen e institucioneve parashkollore për grup-moshat 0-5 vjeç, pas konsultimit me drejtorin e DKA-së dhe drejtoreshën e IP “Rrita e Jonë“ , vlerësuam se objekti i çerdhes duhet të i nënshtrohet parapërgatitjes dhe procesit të dezinfektimit, pasi që për një kohë të gjatë ka qëndruar i mbyllur. Si rezultat i kësaj, në Komunën e Obiliqit rihapja e çerdheve nuk do të ndodhë nesër! Ndërsa, për çdo njoftim të ri do të njoftoheni me kohë”, ka thënë Gashi, njofton Telegrafi.

Ndërkaq, kundër hapjes së çerdheve ka qenë edhe kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se pret që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat e caktuara për mbrojtje.

Ai ka lutur prindërit që mos t’i dërgojnë fëmijët e tyre në çerdhe pa u marrë vendimi nga niveli qendror.

“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri ti marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë. Çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje”, ka shkruar Ahmeti.