Telegrafi

CEO prezantohet në panairin “BAU 2011”

 CEO si kompani lidere në fushën e organizimit të panaireve në Kosovë dhe rajon ishte e vetmja e kësaj lëmie nga vendet e rajonit që mori pjesë dhe u prezantua me stendën e saj në këtë eveniment të madh global duke e futur Kosovën në listën e 46 vendeve të përfaqësuara suksesshëm në këtë panair.

Gjatë ditëve sa zgjati “BAU 2011” stenda e CEO-s u vizitua nga një numër i madh i menaxherëve të kompanive ndërkombëtare të cilët morën informata të shumta nga stafi i CEO-s në lidhje me panairet e specializuara ndërkombëtare që CEO organizon në Kosovë.

Gjatë panairit, përfaqësuesit e CEO-s, para një audience të rëndësishme mbajtën prezantime në lidhje me mundësitë që përmes panaireve ndërkombëtare në Kosovë të krijohen ura të bashkëpunimit me komunitetin e biznesit në vendin tonë dhe rajon. Menaxherët, specialistët dhe vizitorët e shumtë në panairin BAU 2011 shfaqën interesimin e tyre në lidhje me panairin ndërkombëtar të Ndërtimit, Energjetikës, Teknikës dhe Mobilerisë ˝EXPOKOS˝ që mbahet çdo vit në Prishtinë dhe i cili është shndërruar në një pikëtakim si më i rëndësishmi i këtyre fushave në Ballkanin perëndimor.

Interesimi i kompanive nga Gjermania, nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë për të marrë pjesë në panairin EXPOKOS ka qenë i lartë, duke na befasuar për të mirë edhe me njohuritë dhe informacionet që përfaqësuesit e kompanive kishin për sektorin e panaireve ndërkombëtare në Kosovë. Konfirmime për pjesëmarrje në panairin EXPOKOS në Prishtinë, edicioni i radhës i të cilit do të mbahet nga 18-21 maj, kemi marrur qysh në takimet e para me kompani të huaja.