Kjo është një javë e ngjeshur për këmbimoren më të famshme të kriptovalutave dhe qeverisë amerikane.
Changpeng Zhao, i njohur edhe si “CZ”, themeluesi dhe CEO i Binance, pritet të largohet nga ky post dhe të pranojë fajësinë për pastrim të parave, sipas Wall Street Journal.
Pritet që Zhao sot të paraqitet në një gjykatë federale në Seatle dhe të pranojë fajin.
Binance gjithashtu do të paguajë një gjobë prej 4.3 miliardë dollarësh (4 miliardë euro), raporton techchrunch.
Binance hyri në treg në muajin qershor të vitit 2017 dhe brenda 180 ditësh u bë këmbimorja më e madhe në botë. Ajo kishte mbi 11.6 miliardë dollarë (10.63 miliardë euro) të vëllimit të tregtisë gjatë 24 orëve të fundit, 515 për qind më shumë sesa këmbimorja e dytë më e madhe, Coinbase, e cila ka 1.9 miliard dollarë (1.74 miliard euro) të vëllimit të tregtisë.
Binance ka qenë në qendër të mediave këtë vit për një sërë arsyesh, duke përfshirë komentet e Zhao-s që kontribuuan në rënien e FTX, e cila dikur ishte një nga konkurrentët e saj kryesor.
Në muajin prill, Binance.US, kompania e saj motër amerikane, prishi marrëveshjen prej 1.3 miliard dollarësh (1 miliard euro) për të blerë asetet e ndërmjetësit të kriptovalutave, Voyager Digital për shkak të një “klime rregullatore armiqësore dhe të pasigurt”.
Në muajin gusht, Checkout.com ndërpreu lidhjet me Binance pas shqetësimeve në lidhje me çështjet e supozuara të firmës së kriptovalutave me pastrimin e parave, sanksionet dhe kontrollet e pajtueshmërisë. /Telegrafi/