Telegrafi

Centrali bërthamor në Shkodër frikëson malazezët

Zëdhënësi i ministrit kroat të Ekonomisë, Tomoslav Mazal, i tha televizionit të Podgoricës, “Vijesti”, se qeveritë e dy vendeve kanë formuar një grup pune prej pesë ekspertësh, të cilët kanë si detyrë që të zbatojnë nga ana teknike këtë projekt të madh.

Mediat kroate kanë njoftuar më parë, se kontrata është firmosur mes kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe kryeministrit kroat, Ivo Sanader.

Impianti do të ndërtohet afër Shkodrës, aty ku lumi i Bunës buron nga liqeni i Shkodrës në detin Adriatik, afër kufirit me Malin e Zi. Sipas medias së Podgoricës, impianti do të kushtojë 4 miliardë euro dhe do të ketë kapacitet 1500 megavat.

Ndërtimi i impiantit do të bëhet nga kompania shtetërore elektrike kroate “HEP”, ndaj dhe pjesa më e madhe e energjisë së prodhuar do të shkojë në Kroaci.

Pas njoftimit që përkon edhe me 30-vjetorin të tërmetit shkatërrues që goditi bregdetin malazez në vitin 1979, eksperti i ndërtimeve, Cedomir Cejoviç, ka paralajmëruar për rreziqet e ndërtimit të një impianti të tillë në një zonë që njihet për aktivitetin sizmik.

Ndërkohë, nga pala shqiptare ende nuk ka ndonjë koment për rreziqet e ndërtimit të këtij impianti.