Universiteti i Prishtinës ka qenë dhe vazhdon të jetë vatër e arsimimit dhe edukimit të brezave të tërë, me gjithë mangësitë dhe vështirësitë që i ka hasur gjatë rrugëtimit të tij gati gjysmë shekullor. UP-ja ka një traditë dhe histori shumë të shkurtër universitare: i krijuar viteve ‘70 të shekullit të kaluar, kur kanë filluar edhe celulat e para të organizimit të shtetit të Kosovës në kuadër të ish- Federatës Jugosllave.
Themelimi i Universitetit të Prishtinës ishte një ngjarje historike për popullin e Kosovës, si dhe për mbar kombin shqiptar. Kuvendi themelues i UP-së u mbajt me 13 shkurt 1970, kurse dy ditë më vonë me 15 shkurt 1970 u mbajt edhe mbledhja solemne e Kuvendit. Pikërisht kjo datë u shpall dita e UP-së. Në kuadër të këtij Universiteti kishte disa degë studimi: të gjitha më seli në Prishtinë. Andaj, u emërtua Universiteti i Prishtinës.
Kjo nuk ndodhi vetëm me Universitetin e Prishtinës. Edhe universitetet me të vjetra në botë, pavarësisht profileve që ofrojnë për të studiuar, ato shumica prej tyre – që kanë emër sot, për cilësinë në arsimin e lartë – janë emërtuar në bazë të vendit ku janë themeluar. Ti marrim si model universitetet britanike: Universiteti i Oksfordit i themeluar në vitin 1163; Universiteti i Kembrixhit i themeluar më 1209. Sot, pas gati një mileniumi të formimit të tyre, ato vazhdojnë ta kenë të njëjtin emër. Edhe pse në gjirin e tyre kanë njerëz që kanë lënë gjurmë në shkencën botërore, asnjëherë nuk kanë tentuar ta ndërrojnë emrin e tyre .
Ndryshimi i emrit do të thotë një lloj “falsifikimi” i identitetit të një individi, gjë që paraqet një shkelje dhe është jashtë çdo norme dhe ligji të brendshëm e ndërkombëtar. Kjo do të ngjante sikur një foshnje të porsalindur ta emërtojmë Ardian, pastaj në shkollën fillore ta quajmë Besart dhe krejt në fund ka pleqëria Agim.
Cili është atëherë personi që po kërkojmë ?
Cili është Universiteti publik i Kosovës? Emërtimi “klasik” Universiteti i Prishtinës, apo tani riemërtimi apo ”junior” – Universiteti Hasan Prishtina? Apo, do të themi se e pagëzuam kur lindi Ardian, e tani le ta quajmë Besart, e mbase më vonë mund ta thërrasim edhe Agim…!?
Nuk e kam idenë sesi do të identifikohem si student i Universitetit të Prishtinës., apo si student i Universitetit Hasan Prishtina? Absurditet i llojit të vet. Por, kjo kurrsesi nuk ka të bëjë me kontestimin dhe vënien në dyshim të rolit madhor të patriotit Hasan Prishtina për çështjen shqiptare e në veçanti për Kosovën.
Ka shumë gjëra që duhet ndryshuar sa më parë në Universitetin e Prishtinës, si: ngritja e cilësisë, mbështetja e kërkimeve shkencore, rritja e hapësirës universitare, rekrutimi i stafit adekuat akademik, administratë pak me te shpejtë – idealja do të ishte e digjitalizuar e – shumë çështje tjera që e preokupojnë çdo ditë studentin kosovar.
Me së paku çka nevojitet është ndërrimi i emrit të Universitetit. Pavarësisht se ide e kujt është ajo, është krejtësisht panevojshme.
Nëse në një të ardhme të afërt do të jem student i ndonjë universiteti evropianë apo më gjerë, me të vërtet do ta kem vështirë të identifikohem. Do të jem konfuz në sy të të tjerëve që deri dje na njohën si Universiteti i Prishtinës, ndërsa tani si Universiteti Hasan Prishtina.
Ky është Universitet pa identitet!