Përkundër vërejtjeve të anëtarëve të ekuipazhit të cilët kërkojnë nga pasagjerët të shkyçin celularët, laptopët dhe pajisjet tjera elektronike, shumë prej tyre i injorojnë këto kërkesa.
Shumica e pajisjeve elektronike emetojnë sinjale të cilat përbëhen nga valët elektromagnetike, e të cilat mund të përzihen me sistemin elektronik të aeroplanit.
Inxhinieri Bill Strauss, i cili hulumton shfrytëzimin e pajisjeve elektronike në aeroplanë, situatën e përgjithshme e ka cilësuar si brengosëse.
“Aeroplani është i dizajnuar me specifika të veçanta. Nuk ekzistojnë kontrolle të shpeshta të gjendjes së tij. Problem shkaktojnë edhe telefonat celularë të cilët u takojnë pasagjerëve, apo atyre që i keqpërdorin ata, bateritë të cilat janë më të fuqishme sesa që duhet, si dhe elektronika në aeroplan e cila u nënshtrohet pengesave, sepse nuk është e mbrojtur sa duhet. Krejt kjo paraqet një shtrëngatë të përsosur elektronike e cila mund të sjellë deri tek rrëzimi i aeroplanit”, ka thënë Strauss për gazetën amerikane New York Times.
Pengesat e shkaktuara nga telefoni celular janë shkas i rënies së aeroplanit i cili është rrëzuar në Christchurch më Zelandën e Re, shkruan gazeta britanike Telegraph.
Në raportin e fundit të Komisionit për fatkeqësi në trafikun ajror të Zelandës së Re theksohet se “celulari i pilotit ka shkaktuar të dhëna të gabueshme në sistemin e navigacionit”.
Shumë shërbime tjera kanë konstatuar se pengesat elektronike të shkaktuara nga celularët mund të sjellin deri në atë pikë sa që pajisjet në aeroplan të shfaqin të dhëna të gabueshme. /Telegrafi/