Bersant Celina ishte njëri prej lojtarëve më të mirë në ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilën Përfaqësuesja jonë e fitoi me rezultat 2-0.
Futbollisti ofensiv i Swansea Cityt ishte thuajse prapa çdo aksioni të skuadrës, mirëpo nuk preferonte të provonte vet shanset e tij dhe zgjidhte të pasojë te bashkëlojtarët.
“Tri pikët janë shumë të rëndësishme, ishte ndeshje e mirë ndoshta mund të shënonim më shumë gola, por e rëndësishme ishte fitorja”, ka deklaruar ai.
Sa i përket bashkëpunimit me lojtarët tjerë dhe mosfinalizimit individual të aksioneve, ai ka thënë se kur i sheh bashkëlojtarët në pozita të mira dëshiron të bashkëpunojë me ta duke e lënë anash individualitetin.
Ai ka thënë se mendon se ka bërë paraqitje të mirë, porse gjithmonë ka vend për përmirësim dhe ndoshta ka mundur të shënonte në këtë sfidë. /Telegrafi/