Site icon Telegrafi

‘Çelësat e xhamisë i kanë turqit’, gazetari tregon agjendën e Erdogan në Shqipëri

Gazetari i njohur Mentor Kikia thotë se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka një agjendë të qartë fetare në Shqipëri.

Në emisionin Now në Euronews Albania, Kika u shpreh se një çështje edhe më e madhe se sa ajo e mbylljes së shkollave turke me ultimatumin e Ergoganit, është ajo e xhamisë së Namazgjasë që pret të inaugurohet.

“Ka një çështje më të madhe që është xhamia e Namazgjasë, çelësat e xhamisë i kanë turqit. Komunitetit Mysliman i ndalohet të shkelë në territorin e xhamisë. Inaugurimi i xhamisë do të thotë t’i dorëzohet Komunitetit, por kjo nuk ndodh se Erdogan nuk e njeh Komunitetin Mysliman dhe e konsideron të kapur nga gylenistët. Erdogan ka një agjendë fetare në Shqipëri dhe marrëdhëniet Turqi-Shqipëri janë shndërruar në marrëdhënie Rama-Erdogan”, tha Kikia.

Sipas tij në Shqipëri institucionet e hapura dhe të mbështetura nga fondacioni Gylen kanë pësuar një traumë sistematike.

Kikia deklaroi se gjithë personeli turk është larguar në mënyrë ilegale gradualisht për t’i shpëtuar deportimit nga Shqipëria sepse kërkoheshin nga autoritetet turke. /Euronews Albania/

 

 

 

Exit mobile version