Telegrafi

Çelaj: Fuqizimi i bashkëpunimit me shoqërinë civile i domosdoshëm për procesin integrues

Në punëtorinë “Dialogu me shoqërinë civile në procesin e Integrimit Evropian”, në kuadër të projektit të bashkëpunimit të GIZ-MIE me OSHC (Organizatat e Shoqërisë Civile), me temën “Procesi i Integrimit Evropian dhe bashkëpunimi më i mirë me OSHC, zëvendësministri i Integrimit Evropian, Lirak Çelaj theksoi se qëllimi i kësaj punëtorie është që të intensifikohet dhe thellohet dialogu me shoqërinë civile dhe palët tjera të interesuara në kuadër të procesit integrues si dhe përfshirjen e tyre në zbatimin e reformave.

Ai tha se dialogu duhet të jetë më i qëndrueshëm, por gjithashtu të zgjerohet duke përfshirë më aktivisht institucionet shtetërore që zbatojnë reformat përkatëse.

“Për përfshirje më aktive dhe më substanciale të shoqërisë civile në definimin e prioriteteve të nivelit politik në kuadër të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA)”, theksoi Çelaj, dhe shtoi se prioritetet e reja janë duke u negociuar me Komisionin Evropian, dhe së shpejti ky dokument, së bashku me draftin e planit të ri të veprimit do të diskutohen hollësisht me OShC, përmes një dialogu gjithëpërfshirës dhe transparent.

Zëvendësministri tha se kanë krijuar një mekanizëm për konsultime me organizatat e shoqërisë civile dhe palë të tjera të interesuara, bazuar në Udhëzuesit që rregullon këtë proces.

“Ky udhëzues, theksoi Çelaj, obligon Ministrinë që të organizojë dy mbledhje konsultuese në kuadër të secilit nënkomitet të Stabilizim-Asociimit”, tha ai. /Telegrafi/