Kryesuesi i Komisionit hetimor parlamentar për privatizimin, Hajrullah Çeku ka folur sot rreth procesit të privatizimit në Kosovë, ndërsa ka bërë të ditur se nga 12 tetori do të fillojë intervistimi i grupit të parë prej 21 dëshmitarëve që kanë pas rol në privatizimin e ndërmarrjeve në vend.
Çeku në një konferencë për media tha se në këtë grup të dëshmitarëve bëjnë pjesë ish-ministra, ish-anëtarë bordit të AKM-së dhe AKP-së dhe ish-anëtarë të UNMIK-ut.
“Kemi miratuar planin e punës për përudhën gjashtë mujore dhe lista e dëshmitarëve për intervistim. Ne i kemi angazhuar katër komisionarë të jashtëm. Kemi grumbulluar një numër të madh të dokumenteve. Në këtë fazë është intervistimi i dëshmitarëve, janë 21 dëshmitarë. Në këtë grup bëjnë pjesë ish-ministra, ish-anëtar bordi të AKM-së dhe AKP-së dhe ish-anëtar të UNMIK-ut. Nga 12 tetori do të fillojë intervistimi i dëshmitarëve. Në grupin e dytë bëjnë pjesë pronarë të kompanive, ekspertë, gazetarë që e kanë monitoruar punën e privatizimit në Kosovë dhe ish-punëtor të ndërmarrjeve”, deklaroi Çeku.
Po ashtu, ai ka thënë se në grupin e dytë për intervistim bëjnë pjesë pronarë të atyre ndërmarrjeve që kanë privatizuar dhe gazetarë që kanë ndjekur procesin në atë kohë.
“Kush do që ka dëshmi për procesin e privatizimit le t’i dorëzojnë në Komisionin hetimor. Është obligim ligjor dhe moral i gjithsecilit t’i përgjigjen ftesës së Komisionit si dëshmitar, ku do që të gjinden, qofshin ish- ministra, zyrtarë dhe të tjerë”, tha ai.
Ky Komision tashmë ka bërë publik edhe emrat e dëshmitarëve nga grupi i parë. Ku në këtë listë janë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ali Sadriu, ish-ministri Haki Shatri, ish-ministëri Ahmet Shala, ish-ministër Besim Beqaj, ish-kryetar i Bordit të AKP-së, Blerim Rexha, ish-ministër i MTI-së, Bujar Dugolli, ish-kryeses i bordit të AKP-së, Petrit Gashi, Bajram Zejnullahu, Naser Osmani, ish-kryetar i BSPK-së, Haxhi Arifi, Nocolaus Landorsv, ish-shef i UNMIK-ut, Joakim Ryker, ish-shef i shtyllës së katërt në UNMIK, Andrea Capuselo, Shkëlzen Lluka, drejtor në AKP, Valon Tolaj, ish-drejtor në AKP, Ekrem Hajdari, Arben Limani, Mrika Tahiri, ish-drejtor në AKP, Avni Jashari. /Telegrafi/