Site icon Telegrafi

Çeku: FSK-ja kaherë e gatshme të shndërrohet në Ushtri

Ish-komandanti i UÇK-së dhe ish-ministri i FSK-së, Agim Çeku duke folur për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës ka thënë se FSK-ja qysh moti është e gatshme për një transformim të tillë.

“Ne shpesh herë e kemi thënë që FSK-ja është e gatshme dhe ka qenë e gatshme qysh nga data 7 mars të vitit 2014. Nga ajo ditë ne e kemi pritur ditën kur do të aprovohet Ligji që të transformohet FSK-ja në Ushtri. Kjo ka qenë pritje nga vullneti i mirë që të jetë një vendim gjithëpërfshrirës”, tha Çeku në Zona B të Klan Kosovës.

Çeku që është i ftuar në Zona B të Klan Kosovës ka thënë se tash e sa kohë është pritur edhe vota “pro” e deputetëve serbë.

Sipas tij, kjo nuk ka ndodhur e as nuk do të ndodhë, andaj duhet të vazhdohet tutje.

“Ne kemi qenë që nga ajo ditë në pritje të vazhdueshme që të përftiojmë edhe votën e deputetëve serbë por del që ata kanë urdhër nga Beogradi që të mos e përkrahin transformimin e FSK-së në Ushtri. Ne kemi vendosur që askush të mos e mbajë peng fuqizimin e shtetit të Kosovës”.

Ai ka deklaruar poashtu se FSK është e gatshme që të shndërrohet në Ushtri.

“FSK-ja është e gatshme që të shndërrohet në Ushtri, janë krijuar kuadra shumë të shkolluar dhe të përgatitur. Shumë prej tyre kanë krijuar përvojë dhe është krijuar një rutinë. Edhe TMK edhe FSK kanë frymuar si ushtri”, tha Çeku. /Klan Kosova/

Exit mobile version