Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, e ka quajtur krim djegien e objektit të gjimnazit të vjetër në Ferizaj.
Në reagimin e tij për rastin, Çeku ka thënë se përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë.
“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar ministri në Facebook.
Ai tutje ka deklaruar se gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali’ në Ferizaj do të restaurohet, “i pëlqeu apo jo keqbërësve”.
“Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, ka përfunduar Çeku.
Ndryshe, objekti i ish-gjimnazit të vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj u përfshi nga zjarri masiv në orët e para të mëngjesit të së martës.
Komuna e Ferizajt përmes një reagimi publik ka deklaruar se zjarri ka shkaktuar dëme të mëdha në gjithë objektin, i cili përfaqëson vlerë të trashëgimisë kulturore.
I njëjti objekt bëhet e ditur se të hënën e 13 marsit, ka nisur të rinovohet tërësisht nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./Telegrafi/