Site icon Telegrafi

Çeku: Barra financiare për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës i bie MRKS-së, besoj që partnerët kanë vullnet të vazhdohet puna

Ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Hajrulla Çeku ka thënë se janë në dispozicion të partnerëve ndërkombëtarë për të sqaruar çështjen e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.

Ai deklaroi gjatë konferencës për medie se beson që edhe partnerët ndërkombëtarë kanë vullnet për të vazhduar puna, por po presin derisa të kalojë situata e krijuar.

“Monumenti në fjalë është pjesë e një grupi më të madh të monumenteve që është pjesë e bashkëpunimit tonë me Bashkësinë Evropiane dhe UNDP-në. Financimi kryesisht vjen nga Bashkimi Evropian, mirëpo në rastin e shtëpisë së Xhafer Devës, barra kryesore financiare i takon Ministrisë së Kulturës, pra nuk po flasim për problemin e buxhetit, nuk është çështje mungesa e financave sepse edhe ne si ministri mund t’i mbulojmë shpenzimet”, tha Çeku.

Ai tutje tha se është një moment i krijuar dhe një debat që është ngrit dhe se e kupton që partnerët kanë nevojë për sqarime.

“Jemi në dispozicion të tyre për  çfarëdo sqarimi, le të marrin kohën për ta vlerësuar këtë situatë, unë besoj që vullneti i tyre është për të vazhduar, megjithatë situata e krijuar i ka bërë të marrin pak kohë në mënyrë që të largohet pak kjo mjegull e krijuar pa nevojë”, theksoi Çeku. /Telegrafi/

Exit mobile version