Telegrafi

Çekia konfirmon viktimën e parë nga përmbytjet

Stuhia Boris që goditi Evropën gjatë fundjavës, ka çuar në evakuime masive dhe shkatërrim të gjerë të shtëpive.

Bëhet e ditur se në Republikën Çeke, mbi 200 zona janë ende në alarm për përmbytjet, me viktimat e para të raportuara së fundmi: një person është konfirmuar i vdekur në lumin Krasovka në veri të Moravisë.

Policia ka raportuar shtatë persona të zhdukur për shkak të përmbytjeve, të cilët kanë rënë në lumenj dhe përrenj, si dhe veturat e të cilëve janë përfshirë në ujërat e trazuara, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndër qytetet më të goditura është qyteti i Krnovit në Moravi, ku rreth 70-80% e qytetit është nën ujë; kryebashkiaku raporton se situata është shumë më e keqe tani sesa në përmbytjen katastrofike të vitit 1997.

Mediat botërore kanë vënë në dukje katastrofën, me shumë burime zyrtare që ia atribuojnë reshjet ekstreme ndryshimeve klimatike.

Ndryshe, reshjet vazhdojnë, duke prekur kryesisht lumenjtë Chrudimka, Opava dhe Odra, megjithëse nivelet e ujit janë në rënie.

Disa mijëra njerëz janë evakuuar, kryesisht në qytete në të gjithë lindjen e vendit.

Rreth 200,000 qytetarë kanë mbetur pa energji.

Andaj, qeveria do të mbajë një mbledhje urgjente për të diskutuar ndihmën për rajonet e prekura. /Telegrafi/