Telegrafi

Çekia do ta intensifikojë mbështetjen për Kosovën

Sipas ambasadores Hrebickova, Çekia, e cila ka marrë kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian, vendi i saj do të punojë me përkushtim të madh për Kosovën. Duke i shpalosur prioritetet e Pragës si udhëheqëse e BE-së, ajo veçoi tri fusha kryesore: ekonominë, energjinë dhe marrëdhëniet me jashtë.

Po ashtu, ajo tha se intenca është që të lëvizet aq sa do të jetë e mundur në koordinim me vendet e Bashkimit Evropian, në drejtim të aspiratave të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

“Sa i përket Kosovës, ne do ta vazhdojmë procesin e filluar para shumë vjetësh, ne do ta monitorojmë kujdesshëm procesin përmes EULEX-it, i cili është misioni më i madh i BE-së në historinë e saj, dhe bashkë me institucionet e Kosovës dhe KFOR-in do të vazhdojmë të përballemi me sfidat, siç ishin ato në veri ditëve të fundit”, vijoi ambasadorja Hrebickova.

Ndërsa, presidenti Sejdiu theksoi se Republika e Çekisë ka qenë, është dhe do të mbetet mbështetëse e fuqishme e Kosovës. Ai shfaqi besimin se Çekia, gjatë mandatit të saj udhëheqës në BE, do të japë kontributin e saj në mbështetje të zhvillimit të proceseve që kanë të bëjnë me integrimin, si dhe për njohjen e Republikës së Kosovës edhe nga ato vende të BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë. /Telegrafi/