Ish ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Arben Çejku, në një intervistë për emisionin “Studio e Hapur” në TV Nova në gjuhën shqipe, ka pohuar se elitat politike në Maqedoni duhet ta kuptojnë se lufta në mes tyre duhet të jetë luftë për shtetin dhe jo luftë për pushtetin. Ai ka folur edhe për Deklaratën e përbashkët të partive shqiptare, të cilën e ka quajtur si hap i domosdoshëm për t’i përmbledh kërkesat e partive politike shqiptare, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Mendoj se menaxhimi protokollar saj ishte edhe një justifikim për t’u keqpërdorë edhe në këtë situate që jemi. Pikat të cilat dalin nga kjo marrëveshje, janë të inkorporuara edhe në Marrëveshjen e Ohrit. Ne e dimë se partitë politike shqiptare patën kërkesa maksimaliste dhe duhej një formë apo mekanizëm për t’i konvertuar dhe për të pasur një dokument të përbashkët, me qëllim që ta justifikojnë edhe atë presion nga opinionin i jashtëm i cili kërkonte një unifikim të faktorit politik shqiptarë. Në hartimin e kësaj platformë, kishte diletantizëm, kishte folklorizëm dhe kryeqyteti politik i Shqiptarëve të Maqedonisë duhet të jetë Shkupi”, deklaroi Çejku.
Ai më tej ka shtuar se Shqipëria ka investuar më shumë se 20 vite në këto marrëdhënie të mira me Maqedoninë dhe prandaj duhet të shmanget çdo lloj provokimi./Telegrafi/