Telegrafi

Ç’do të thotë të jesh kryeministër, president apo deputet në Shqipëri?

Ilustrim

Ç’do të thotë të jesh president i republikës në këtë vend?

Përgjithësisht, kjo do të thotë të jesh ngjitur në këtë post pa ndonjë meritë politike, por për arsye politike. Edhe pse në këto 33 vitet e fundit ka pasur  presidentë (Meidani, Moisiu, Topi) që e kanë marrë, e kanë mbajtur dhe e kanë lënë postin e presidentit me dinjitet, të tjerët (Berisha, Nishani, Meta) kanë ardhur e kanë ikur nga ai post pa dinjitet dhe krejt pa lavdi.

Të jesh president në Shqipëri do të thotë, përgjithësisht, të jesh një funksionar i lartë i shtetit, realisht i emëruar nga kryeministri i vendit dhe i miratuar nga ligjvenësit e partisë së tij. I gëzon të gjitha privilegjet që ofron pozita më e lartë shtetërore, por jo domosdo edhe autoritetin dhe prestigjin që normalisht duhet të të japë kjo pozitë.

Ç’do të thotë të jesh kryeministër i qeverisë së këtij vendi?

Përgjithësisht, do të thotë të jesh i gjithpushtetshëm, njeriu që vendos, thuajse i vetëm, për gjithçka, pa pyetur thuajse askënd. Deri dje pa pyetur edhe për ligjin, sepse ligji ishte i dobët dhe zbatuesit e tij të korruptuar.

Sot, përballë ligjeve më të fortë dhe një sistemi drejtësie më të pavarur, kryeministri duket se është bërë më “i dobët”, por vetëm për shkak të ligjit, jo të sistemit, i cili, në thelb, vijon të mbetet një republikë parlamentare kryeministrore.

Meta, për aq pak kohë sa qëndroi në postin e kryeministrit, Berisha gjatë tetë viteve në krye të qeverisë së tij dhe Rama në 11 vitet e fundit, kanë qenë e janë të gjithë të enamoruar me pushtetin, shpesh herë edhe të verbuar prej tij e të vendosur të qëndrojnë në pushtet për t’u mbrojtur prej ligjit.

Unë qëllimisht nuk e përmenda kryeministrin Nano, pasi ai jo vetëm u bë viktima e parë e një politike të egër antidemokratike e revanshiste në fillim të viteve 1990, por edhe krijoi të parin (e deri më sot të vetmin) precendent demokratik të një kryeministri shqiptar, që pasi humbet zgjedhjet, heq dorë vullnetarisht nga drejtimi i partisë së vet dhe nga synimi për të qëndruar apo për t’u kthyer në pushtet.

Ç’do të thotë të jesh ministër në këtë vend?

As vetë shumica e ministrave që kemi pasur e kemi deri më sot nuk e dinë këtë, pra nuk dinë se ç’kanë qenë e ç’kanë bërë para se të bëheshin ministra dhe pse i kanë hequr ose mund t’i heqin nga ai post. Posti i një ministri – i cilitdo ministër të cilës do qeveri apo parti – ka qenë e mbetet ai më i paqëndrueshmi e më pasigurti.

Sot mund të gdhihesh njeriu që ke qenë dje, por mund të ngrysesh ministër, pa e kuptuar pse dhe pa të dhënë njeri një shpjegim për këtë promovim e përgjegjësi që të jepen papritur. Por, dhe pa ditur se ç’mund të jesh e si mund të përfundosh të nesërmen, apo të pasnesërmen duke qenë ti vetë po ai njeri që ke qenë.

Shembujt e mëposhtëm janë domethënës. Duke filluar nga viti 1991, postin e ministrit të Jashtëm në këtë vend e kanë mbajtur 18 individë, prej të cilëve vetëm tre (Serreqi, Milo dhe Bushati) për një mandat të plotë katërvjeçar. Të tjerët kanë ardhur dhe kanë ikur nga ai post si stinët e vitit.

Po gjatë kësaj periudhe, postin e ministrit të Brendshëm e kanë mbajtur 26 individë, prej të cilëve vetëm njëri (Tahiri), për një mandat të plotë. Në krye të dikastereve të tjerë të qeverisë kanë ardhur e kanë ikur dhjetëra ministra, shumica e të cilëve as kishin bërë ndonjë gjë veçanërisht me vlerë para se t’u “besohej” ai post, as lanë ndonjë gjurmë në ministritë që drejtuan.

Pjesa më e madhe e tyre janë sot thjesht statistikë, ndërsa shumica dërrmuese e atyre qindra njerëzve të emëruar si zëvendësministra (kryesisht si qoka politike), nuk kanë mbetur as edhe si futnotë në historikun e ministrive ku kanë pasur njëzyrë.

Ç’do të thotë të jesh anëtar i Parlamentit në këtë vend?

Me disa përjashtime, sepse kudo e kurdoherë ka pasur e ka përjashtime, të jesh anëtar i Parlamentit në Shqipëri sot nuk kërkohet të kesh ndonjë kualifikim apo meritë të veçantë, çka do të thotë se kushdo mund të bëhet deputet (kushtetuta ia njeh të drejtën për t’u zgjedhur çdo qytetari), mjafton që kryetarët e partive kryesore të të shënojnë emrin në listë sa më pranë kreut të listës së kandidatëve.

Që ta meritosh këtë favor dhe këtë nder personal prej kryetarit të partisë, duhet të përmbushësh disa kushte: (a) të jesh një ushtar luajal i kryetarit të partisë, i cili, kur është kryeministër, bën edhe ligjin në Parlament; (b) të jesh i pari në protesta e të hidhesh në zjarr për kryetarin tënd; (c) të mos gjykosh me mendjen tënde e të mos votosh nisur nga bindjet e tua; mendimet dhe bindjet e kryetarit mjaftojnë; ato duhet të jenë, ose të bëhen e të mbeten mendimet dhe bindjet e tua, urdhër ftese për ty në çdo gjë; (ç) të mos thuash kurrë “jo”, për asgjë, edhe kur bëhet fjalë për çështje e për vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me interesin publik dhe atë kombëtar, nëse këtë nuk ta kërkon kryetari.

Për një pjesë të madhe të deputetëve tanë qytetarët flasin me përçmim, si të ishin gaztorë të oborrit të një monarku. Shumica e tyre harrohen sapo lënë mandatin e “përfaqësuesit të popullit”. Humbasin e harrohen pa nam e pa nishan. Veçse, ama, pasi kanë marrë për disa vite me radhë (shumica e tyre pa bërë asgjë), paga shumë të majme nga taksapaguesit e varfër shqiptarë dhe pasi kanë siguruar për veten e tyre pensione që shumica e punonjësve shqiptarë s’do të munden dot kurrë t’i përfitojnë me punën e tyre të ndershme për dekada të tëra.

Në këto 33 vite tranzicion Shqipëria nuk ka mundur të bëhet një meritokraci, pra një vend që drejtohet nga njerëz që zgjidhen apo emërohen në funksione të rëndësishëm shtetërorë për shkak të meritave të tyre, dhe një shoqëri që i mundëson kujtdo me aftësi dhe merita të konkurrojë ndershmërisht për të realizuar aspiratat e veta në jetë, në karrierën profesionale dhe në politikë. /Dita/