Site icon Telegrafi

Çdo muaj, 10 viktima nga aksidentet në komunikacion

Nxënësit e shkollave të mesme janë ata të cilët pësojnë më shumë nga aksidentet në rrugë.

Kështu u tha në konferencën me temën” Shkaktarët e aksidenteve në rrugë nga këndvështrimi i nxënësve”.

Në konferencën e organizuar në bashkëpunimin me kolegjin e aplikuara teknik ” Tempulli”, Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Asociacioni Kosovar i Motorizmit “AMRKS”, u tha se shkaktarët e aksidenteve nga këndvështrimi i nxënësve janë: tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i telefonit, si dhe i dogës dhe alkoolit nga ngasësit e automjeteve.

Drejtori i Kolegjit të Shkencave të Aplikuara Teknike “Tempulli”, Muhamed Krasniqi, tha se gjendja në trafik është shqetësuese dhe çdo muaj janë 10 viktima si pasojë e aksidenteve në rrugë.

“Përmes hulumtimit kemi bërë përpjekje që të gjithë nxënësit që dalin nga shtëpia t’i ndjekin rregullat.  Janë edhe shenjat e trafikut që i udhëzojnë ata dhe nëse veprojnë kundër këtyre rregullave do të ketë pasoja”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit të sigurisë rrugore në Ministrinë e Infrastrukturës, Burim Krasniqi tha se nga rezultatet e Policisë del se faktori njeri është shkaktari kryesor i aksidenteve me fatalitet.

Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës në planin e saj për vitin 2018 ka për qëllim të bëjë një hulumtim për të verifikuar mos rastësisht edhe infrastruktura po ndikon në numrin e aksidenteve.

Ndryshe, aksidentet e trafikut vazhdojnë të jenë “vrasësi” më i madh i qytetarëve të Kosovës. Shifrat e aksidenteve nga janari deri në shtator dalin të jenë shqetësuese.

Vetëm në këtë periudhë kanë humbur jetën afër 90 persona.

 

Exit mobile version