Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq sonte ka takuar ambasadorët e shteteve të QUINT-it (Britanisë së Madhe, Francës, Italisë dhe Gjermanisë), shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësuesin e Ambasadës amerikane në Beograd.
Shërbimi për media i presidentit serb njoftoi se nuk do të ketë asnjë njoftim nga takimi i Vuçiq me përfaqësues të QUINT-it dhe BE-së në Beograd.
“Kabineti i presidentit të Republikës së Serbisë njofton opinionin se nuk do të ketë njoftim nga takimi që ai ka mbajtur me përfaqësuesit e QUINT-it dhe BE-së. Çdo fjalë formale do të ishte e tepërt”, thuhet në njoftim, transmetojnë mediat serbe.
Ndryshe, në takimin e sotëm të presidentit serb me ambasadorët e vendeve të QUINT-it është biseduar për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndalon qarkullimin e dinarit serb si valutë për pagesa në territorin e Kosovës.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka konfirmuar të mërkurën se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila vendos që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme, do të hyjë në fuqi të enjten më 1 shkurt, ashtu siç parashihej.
Bislimi, megjithatë, tha se do të sigurohet tranzicioni i lehtësua. Ai nuk tregoi se sa do të zgjasë periudha e tranzicionit.
“Implementimi i rregullores nuk nënkupton ndalim të transfereve nga Serbia dhe nuk nënkupton dënime eventuale financiare për mbajtjen e valutës së një shteti tjetër”.
Megjithatë, ai tha se nga nesër nuk do te lejohet importimi i parave nëse, ai që bon importim, nuk është i licencuar nga BQK-ja. /Telegrafi/