Site icon Telegrafi

“Letra grues seme të vdekun”: Çdo femër do të kishte ëndërruar të kishte fatin e keq për të vdekur, që t’i shkruhej një libër i tillë!?

“Letra grues seme të vdekur” është një nga botimet më interesante të kohëve të fundit. Libri ka si autor Gjovalin Gjadrin, inxhinierin e shquar sidomos për ndërtimin e Urës së Matit, i shkruar në gjuhën gjermane dhe që erdhi i përkthyer në shqip nga Ardian Ndreca. Inxhinier Gjadri humbi bashkëshorten e tij Zejnep në moshë fare të re, nga tuberkulozi, dhe nis t’i shkruajë letra gruas së vdekur në gjermanisht, me një stil unik dhe artistik. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” përkthyesi i veprës tregon më tepër për historinë dhe personazhet, duke dhënë edhe një mesazh: “Ura e vetme e përjetshme për të gjithë ata që besojnë jo vetëm tek jeta e përtejme, por tek dashuria, është dashuria e vërtetë mes dy personave”.

Lexo po ashtu Himni i rrallë për gruan

Pse autori vendosi te shkruaj në gjermanisht?

Autori i tronditur tej mase për vdekjen, humbjen e parakohshme vetëm pas pak vitesh martesë, shtatë vjet; mendon se thellësia e vuajtjes së tij dhe intimitetin e çasteve që kanë jetuar, të lumtura dhe të hidhura nuk mund t’i shkojë në dorë kujtdo, prandaj e shkruan këtë libër në gjuhën gjermane dhe e boton në pak kopje të cilat ia shpërndan pak miqve, ish-kolegeve të tij studentë dhe ish-kolegëve dhe miqve të shoqes së tij të jetës në Austri, në Vjenë. Pra, ka një përzgjedhje që ka të bëjë me komunikimin indirekt që autori parapëlqen; e dyta ka të bëjë me vetë natyrën e tekstit.

Është një tekst që ka një element autobiografik, shkon përtej biografisë ose kronologjisë së thjeshtë së një personi që vuan dhe humb personin e tij të dashur. Shumë njerëz në jetën e përditshme përballen me ngjarje tragjike, por këto ngjarje tragjike nuk prodhojnë vepra letrare. Kjo ngjarje është e tillë që çon autorin për të shkruar një vepër letrare.

Autori është një inxhinier, jo se nuk ka inxhinierë që nuk kanë shkruar kurrë më parë letërsi, por për herë të parë ne jetën e tij Gjadri ka guximin që gjënë më të shtrenjtë, përjetimet, përftimet e dhimbshme të jetës së tij, t’ia besojë shkrimit. Me këtë vrull që është i diktuar prej dhimbjes ulet e shkruan një libër që e kryen në pak kohë.

Çfarë e ndjek gjatë të gjithë shkrimit të veprës deri te dorëzimi i veprës tek lexuesi?

E ndjek kujtimi i dashurisë për të shoqen, dhe nga ana tjetër, ndjenja se i është bërë një padrejtësi e madhe – autorin e të cilës është vështirë për ta gjetur. Duke qenë një person që është rritur me besimin në Zot, e bën Zotin fajtor për këtë që i ka ndodhur. Një pjesë e librit është një dialog, kërkesë për justifikim që i kërkon Zotit, pse e ke bërë këtë gjë?

Është një temë antike të cilën e ndeshim te Seneka, Ciceroni në filozofi Kant, në letërsi bashkëkohorë, në eseistik. Ai kërkon ribashkimin me të dashurën e tij në një dimension tjetër, përtej atij fizik, duke i kërkuar Zotit të paktën tani që më ka ndodhur kjo padrejtësi, unë dua prej teje të bashkohem me gruan të cilën dua që të ribashkohem me të sapo të mbarojë ky segment i jetës taksore. E pranon vuajtjen e tij, pasi gjëja e mirë vuajtjes është se ajo mbaron, bashkë me jetën për t’u ritakuar me gruan (në kopertinë të librit shihet dhe një pikture origjinale që një kolege shoqe e Zejnepit ia kishte bërë në Vjenë më 1927).

I gjithë ky diskurs artikulohet në mënyrë letrare filozofike dhe nëpërmjet formulimeve që janë të rralla. Ai thotë: “Unë nuk jam në gjendje të rris djalin tim pasi kam humbur të gjithë habituset, aftësitë për të dhënë diçka të mirë, pasi nuk kam më diçka të mirë për të dhënë”.

Fatmirësisht brenda tij kishte mbetur diçka shumë e mirë vetë fakti që ndjen prezencën e dashurisë kaq të thellë për gruan e tij. Nuk është një njeri i mbaruar prej vuajtjes, por njeri që purifikohet, ku nëpërmjet vuajtjes e vazhdon ta kujtojë gruan e tij, por jo tek kujtimi, figura memoria, por brenda vetes. Gjëja më reale e jona është uni jonë thotë Dekarti pastaj vjen trupi. Kjo është pak a shumë rrugëtimi filozofik dhe letrar i letrës.

Çfarë mesazhi përcjell ky libër?

Sot flitet për dhunën në familje, e cila zakonisht është e mashkullit ndaj femrave, ku shoqëria reagon shumë ngadalë. Leximi i këtij libri bën të kuptosh që dhuna është diçka shumë primitive dhe dashuria shkon përtej konflikteve. Ato konflikte që mendojnë se zgjidhen nëpërmjet dhunës janë vetëm nga një mendje barbare. Ndaj femrës, bashkëshortes, duke qenë dhe nënë, duhet një respekt i dyfishte për rolin krijues qe ka. Nga ana tjetër është çështja e dashurisë. Mendoj që çdo femër do të kishte ëndërruar po të kishte fatin e keq për të vdekur para bashkëshortit të saj, që t’i shkruhej një libër i tillë ose edhe dy rreshta të tillë, një letër e vetme dashurie jo një vepër e cila tregon se atë e ka dashur një person me gjithë qenien.

Pse autori vendos ta botojë me pseudonim?

Kjo arsye është e lidhur gjithnjë me komunikimin indirekt, i cili është i lidhur me pseudonimin. Shkrimtari komunikon me lexuesin jo drejtpërdrejt; kjo mënyrë realizohet nëpërmjet pseudonimit. Pra, nuk jam unë, por është Gmaraj dhe nuk është gjuha shqipe, por një gjuhë e huaj për të ruajtur dhe transferuar autoritetin e fjalës sime nëpërmjet një filtri. Shumë herë ne e përdorim këtë mënyrë në jetën e përditshme, p.sh. Parlamenti përdor zëdhënësen, ministri zyrën e shtypit etj. Këtu kemi të bëjmë me letërsi dhe ky komunikim nuk i heq vlerat letërsisë, por në atë moment është një rrugëtim që mundohet të ruajë të pacenuar anën shpirtërore dhe intimitetin e ndjenjës.

Pse ju vendosët ta përkthenit në gegërisht?

E kam përkthyer se përkthimi i pari është i paplotë, dhe në gegërisht sepse nëse autori vetë do të ringjallej dhe do ta kishte shkruar në gjuhën shqipe, padyshim qe do ta kishte shkruar në gegërisht. Gegërishtja ka aftësi stilistike, thellësi në fjalor dhe thellësi mendimi. I ka të gjitha këto instrumente. Më ka lodhur, por e kam bërë me pasion. /Elsa Doda/GSH/

Exit mobile version