Site icon Telegrafi

CDC-ja: Njerëzit e ekspozuar ndaj coronavirusit nuk kanë nevojë të testohen

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve e SHBA-së (CDC) ka ndryshuar udhëzimet rreth COVID-19 dhe tani më nuk rekomandon testime për njerëzit pa simptoma, edhe nëse ata kanë qenë në kontakt të ngushtë me dikë që dihet se e ka pasur virusin.

Më parë, CDC-ja kishte njoftuar se testimi viral ishte i përshtatshëm për njerëzit që i janë ekspozuar virusit, edhe nëse ishin asimptomatikë, raporton CNN.

“Testimi rekomandohet për të gjitha kontaktet e ngushta të personave me infeksion SARS-CoV-2. Për shkak të mundësisë së transmetimit asimptomatik dhe para-simptomatik, është e rëndësishme që kontaktet e individëve me SARS-CoV- 2 të identifikohen dhe shpejt të testohen”, kishte rekomanduar më parë CDC-i, transmeton Telegrafi.

Ata që nuk kanë simptoma të coronavirusit dhe nuk kanë qenë në kontakt të ngushtë me dikë të njohur të infektuar, nuk kanë nevojë për një provë, thonë udhëzimet e azhurnuara.

CDC ndryshoi rekomadimet gjatë mbrëmjes së kaluar, “nëse keni qenë në kontakt të ngushtë (brenda dy metrave) me një person të infektuar me COVID-19 për të paktën 15 minuta, por nuk keni simptoma, nuk duhet domosdoshmërish të bëni test”.

Lexo po ashtu CDC: Maskat me vrima ose valvula nuk janë efektive në luftën kundër coronavirusit

“Jo të gjithë duhet të testohen”, thuhet në faqen e internetit të agjencisë. “Nëse testoheni, duhet të vetë-karantinoheni/izoloheni në shtëpi në pritje të rezultateve të testit dhe të ndiqni këshillat e mjekëve ose një profesionist të shëndetit publik”.

Udhëzimet e CDC-së ende thonë se njerëzit duhet të testohen nëse kanë simptoma të infeksionit të pandemisë globale. /Telegrafi/

Exit mobile version