Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu akuzoi sot Evropën se po i rikthehet “vlerave” që mbizotëruan përpara Luftës së Dytë Botërore, si “barbarizmi”, në sfondin e tensioneve në rritje me Gjermaninë, pasi Angela Merkel bëri publik faktin se kërkon një ndërprerje të negociatave në lidhje me anëtarësimin e Turqisë në BE.
Cavusoglu theksoi se Evropa po orientohet drejt vlerave të epokës së para Luftës së Dytë Botërore, “si barbarizmi, fashizmi, dhuna dhe mungesa e tolerancës”.
Në një deklaratë, ministria e tij gjithashtu akuzoi liderat e politikës gjermanë për nxitje të “islamofobisë”, duke theksuar se Turqia e kishte ndihmuar Evropën gjatë “kaosit të madh” që lidhet sipas tij, me fluksin e një numri të konsiderueshëm refugjatësh në Evropë, në vitin 2015.
Të dielën në mbrëmje, në një debat televiziv përpara zgjedhjeve parlamentare gjermane më 24 shtator, kancelarja Angela Merkel u shpreh se ishte pro tezës së një ndërprerje të bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në BE, duke shkaktuar zemërimin e Ankarasë, në sfondin e rritjes së tensioneve midis Turqisë dhe Gjermanisë, të vende aleate në NATO.