Site icon Telegrafi

Çavushoglu: Anija sizmike turke u kthye për mirëmbajtje, nuk ka ndryshim të planeve kërkimore

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, tha se anija eksploruese sizmike e vendit që operon në Mesdheun Lindor është kthyer për t’u rimbushur me furnizimet dhe për mirëmbajtje.

Çavuşoğlu tha në një transmetim të drejtpërdrejtë në kanalin privat NTV se kthimi i anijes Oruç Reis nuk do të thotë ndryshim në politikën turke të kërkimeve në rajon, transmeton Anadolu Agency.

Çavuşoğlu tha se Turqia mund të ketë bisedime të drejtpërdrejta me Greqinë për të zgjidhur mosmarrëveshjet në Mesdheun Lindor, megjithatë, nëse Athina këmbëngul në vendosjen e parakushteve, atëherë edhe Ankaraja do të vendosë parakushte.

Tensionet në rajon kanë qenë të larta që kur Turqia rifilloi kërkimet e energjisë në Mesdheun Lindor muajin e kaluar, pasi Greqia dhe Egjipti nënshkruan një marrëveshje për caktimin e kufijve detarë.

Turqia vazhdimisht ka kundërshtuar përpjekjet e Greqisë për të shpallur një zonë ekonomike ekskluzive bazuar në ishuj të vegjël pranë brigjeve turke.

Ankaraja ka theksuar gjithashtu që burimet e energjisë pranë ishullit të Qipros duhet të ndahen në mënyrë të drejtë midis Republikës Turke të Qipros Veriore dhe Administratës Greke Qipriote.

Exit mobile version