Ministri i punëve të Brendshme Mitko Çavkov në konferencën e sotme për shtyp me kërkesë të gazetarëve që ti komentojë bisedimet midis partive politike lidhur me zvogëlimin e kompetencave të ministrit të Punëve të brendshme, edhe një herë ka përsëritur se bëhet fjalë për spekulime klasike, transmeton Telegrafi Maqedoni.
“Asnjë kompetencë e ministrit të punëve të brendshme nuk rrezikohet me ndryshimet e Ligjit për punë të brendshme dhe Ligjit për polici”, ka deklaruar Çavkov, duke shtuar se deri tani në këtë drejtim nuk ka dëgjuar asnjë mendim të argumentuar nga LSDM, as nga ndonjë ekspert i caktuar, që merret me interpretimin ose komentimin e këtyre ndryshimeve ligjore.
Ai ka sqaruar se ndryshimet janë bërë në bazë të analizës krahasuese, respektivisht janë shqyrtuar përvojat e Austrisë, Sllovenisë dhe Kroacisë.
“Nuk ka shtet ku organizimi dhe struktura nuk janë konfirmuar me akt të Qeverisë. Në rastin konkret ne kërkojmë që kjo të rregullohet me dekret. Nuk ka Ministri, respektivisht shtet kur për sistematizim të vendeve të punës nuk kërkohet pajtim nga Qeveria. Kjo nuk ka asgjë të përbashkët me kompetencat e ministrit të punëve të Brendshme”, ka sqaruar Çavkov.
Ai po ashtu ka informuar që LSDM konteston edhe ndryshimet në Ligjin për punë të brendshme që kanë të bëjnë me vendosjen e stërvitjes së obligueshme për pjesëtarët e MPB, të cilët dëshirojnë ose për të cilët Ministria ka nevojë të kalojnë nga një nivel në një nivel tjetër të hierarkisë së MPB./Telegrafi/