Site icon Telegrafi

Çavdërbasha: Fondet shtyjnë sigurimet shëndetësore

“Për shkak të ndikimit ekonomik, mbledhja e mjeteve financiare për sigurimet shëndetësore do të shtyhet edhe gjashtë muaj”, thotë Arsim Çavdërbasha, u.d i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë, përkundër vështirësive është gati të fillojë mbledhjen e premiumeve, duke finalizuar disa nga aktet nënligjore te nevojshme.

“Në bazë të parallogaritjeve që i kemi bërë gjatë viteve të ndërtimit të këtij plani, në rend të parë është kostoja, përpos buxhetit të rregullt. Duhet të theksojë se ajo është e kalkuluar për sektorin publik dhe atë privat. Në sektorin publik, në bazë të pagës mesatare, kostoja duhet të jetë 18 milionë euro në vit për të punësuarit, si dhe 18 milionë euro për qeverinë. Ndërkaq në sektorin privat, në ndërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, ashtu siç edhe është e theksuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, në bazë të pagës mesatare, kostoja vjetore do të jetë 19 milionë euro për punëdhënësin, ndërsa për punëmarrësin 19 milionë euro. Përqindja e premiumeve është e ndarë në mënyrë të barabartë”, tha Çavdërbashanë gjatë një intervistë për Radion Evropa e Lirë,

Ai ka shpjeguar se Grupi i tretë i popullsisë janë ata që nuk janë të regjistruar në këto kategori. Këta qytetarë do të paguajnë nga 2 euro në muaj. Prej tyre pritet të mblidhen rreth 6 milionë euro në vit, dhe më pas këta qytetarë do ta fitojnë statusin e të siguruarit shëndetësor.

“Përfitimet varen plotësisht nga mjetet të cilat do të jemi në gjendje t’i mbledhim për t’i investuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Pra, duhet patjetër të kalojë një periudhë disa mujore, në mënyrë që të grumbullohen mjetet financiare. Më pas, këto mjete do të shfrytëzohen për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor në sektorin publik. Ne duhet të presim rreth 6 muaj që t’i mbledhim ca mjete, dhe mendoj se kjo është normale, pasi që për një muaj nuk mund të bëhet një gjë e tillë”, thekson Arsim Çavdërbasha, u.d i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë. /Telegrafi/

Exit mobile version