Edinson Cavani ka kërkuar falje për një postim në rrjetet sociale që përmban një term në spanjisht që mund të interpretohet si ofendues, ndërsa Federata Angleze e futbollit është duke e hetuar rastin.
Sulmuesi i Manchester Unitedit kishte bërë një reagim në faqen e tij në Instagram pas fitores ndaj Southamptonit, ku ua siguroi Djajve të Kuq fitoren.
Në postimin e tij, uruguaiani e falënderonte një mik që e kishte uruar për fitoren, por me fjalët: “Gracias negrito”, një term që është referencë për racën dhe përkthehet: “Faleminderit, zezak”.
Derisa në vendin e tij është një shprehje miqësore, në Britaninë e Madhe mund konsiderohet si raciste, prandaj 33-vjeçari e ka fshirë postimin dhe tash ka kërkuar falje.
“Mesazhi që e postova pas ndeshjes së të dielës kishte qëllim dashamirës për të përshëndetur një mik, duke e falënderuar për urimet pas ndeshjes. Gjëja e fundit që do të doja do të ishte ofendimi i dikujt”.
“Jam kundërshtar i madh i racizmin dhe e fshiva mesazhin porsa e kuptova se mund të interpretohet ndryshe. Dëshiroj të kërkoj falje të sinqertë për këtë gjë”, ka thënë Cavani në një deklaratë.
Në bazë të politikave të reja ndëshkuese, thyerja e rregullave në rrjetet sociale ndëshkohet së paku me tri ndeshje moslojë nga Federata Angleze e Futbollit. Pritet të shihet cili do të jetë vendimi zyrtar. /Telegrafi/