Trepça ’89 është afër që të realizojë një nga transferimet më të madha në histori të futbollit kosovar, pasi belgu Luis Pedro Cavanda, ka marrëveshje me klubin mitrovicas.
Këta të fundit janë duke tentuar që ta bindin 30 vjeçarin për të nënshkruar kontratën, gjë që nuk e ka bërë ende.
Presidenti i Trepçës ’89, Abedin Zeka deklaroi për Indeksonline se të enjten do të vendoset përfundimisht, nëse Cavanda do të luajë në pranverë me mitrovicasit.
“Me fusha, me objekte është i trishtuar. Unë e dërgova në zhveshtoret e reja, në fushat ndihmëse që i kemi super të mira, nuk ishte i kënaqur, paramendo ta dërgojmë në zhveshtoret e “Riza Lushta” apo te Drita. Jemi duke u mundu me bindë, ja kemi tregu stadiumin ‘Adem Jashari’ e ‘Fadil Vokrri’”.
“Sa i përket kushteve financiare ai është pajtuar krejtësisht dhe është shumë i kënaqur. Nesër e kemi takimin vendimtar për ta nënshkruar kontratën. Mund të ndodh që të mos nënshkruaj por pastaj duhet të dal të prononcohet, të shpjegoj pse”.
“Ne jemi duke u munduar ta bindim, duke ia shpjeguar rrethanat që kemi qenë në luftë dhe ka pas shkatërrim të madh këtu. Nëse pranon të luaj me ne, Cavanda do të qëndrojë deri në qershor. Nëse do Zoti që të dalim në garat ndërkombëtare, ai do të na ndihmojë” ka thënë Abedin Zeka.
Cavanda ka pasur karrierë të pasur si futbollist. Për 6 vite luajti në Serie A te Lazio, pastaj në Turqi te Galatasaray e Trabzonspor. Së fundi ishte pjesë e Standard Liege në Belgjikë.