Site icon Telegrafi

Cavalli me Prishtinën me seri të zezë në kampionat – gjashtë ndeshje radhazi pa fitore  

Ndër vite posti i trajneri te Prishtina ka qenë më i nxehti dhe kush është ulur aty, e ka ndjerë presionin, por duket se është ndryshe tani, prej kur ka zbarkuar francezi Jean Michel Cavalli. 

Prishtina ka harruar të fitojë, por kjo gjë nuk përbën më lajm, pasi në vitet e fundit, klubi ma i madh në vend ka mbetur si forcë mesatare e kampionatit. 

Sezoni 2020/21 ishte i fundit kur Prishtina fitoi titullin dhe siguroi garat ndërkombëtare, ku që atëherë nuk ka luajtur. 

Kryeqytetasit i kishin siguruar garat evropiane në sezonin 2022/23 kur e fituan Kupën e Kosovës, por nuk kishin arritur të licencoheshin për to, duke u bërë klubi i parë në vend që i mohohet kjo gjë. 

Që nga largimi i Zekirija Ramadanit që i shpalli kampion, në Prishtinë kanë defiluar edhe emra të trajnerëve si Abdulah Ibrakovic, Ismet Munishi, Debatik Curri,  Emanuel Egbo dhe tani Jean Michel Cavalli. 

Në sezonin 2022/23, kur në krye të ekipit ishin Ismet Munishi dhe pastaj Debatik Curri, Prishtina kishte arritur të fitonte Kupën e Kosovës me këtë të fundit në stol. 

Por suksesi në Evropë nuk ia kishte siguruar punën Debatik Currit, i cili në sezonin tjetër pas dhjetë ndeshjeve ishte larguar nga posti i trajnerit. 

photo by: @Shpend Ahmeti

Një seri të zezë momentalisht është duke e vuajtur Prishtina edhe nën drejtimin e Jean Michel Cavallit, me të cilin kryeqytetasit nuk dinë për fitore në kampionat tash e gjashtë ndeshje. 

Fitorja e fundit është ajo e 1 dhjetorit kundër Dukagjinit si mysafir me rezultat 1-0, me një gol të vonë të Leonat Vitijës. 

Pas saj vjen barazimi 2-2 ndaj Gjilanit, humbja tronditëse ndaj Feronikelit ’74 me rezultat 1-0, barazimi pa gola ndaj Malishevës, barazimi 2-2 ndaj Suharekës, barazimi 3-3 ndaj Dritës dhe dje (e diel) humbja 1-0 ndaj Ferizajt.  

Prishtina në mesjavë luan në Kupën e Kosovës ndaj Vëllaznimit dhe eliminimi nga kjo garë do të mund të ishte ndeshja e fundit e Cavallit në krye. 

Duke e parë klubin se si ka vepruar në të kaluarën, francezi duket prej më të përkëdhelurve, pasi Armend Dallku dhe Debatik Curri, legjenda të klubit, edhe pasi kishin fituar trofe, ishin larguar nga posti i trajnerit. /Telegrafi/  

Exit mobile version