Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, ka reaguar pas publikimit të xhirimeve nga burgu i Prizrenit, të ditës kur vdiq aktivisti i VV-së, Astrit Dehari.
Çaushi ka thënë se xhirimet e kamerave nuk u lejuan as për familjen dhe as për avokatin e tyre, ndërsa në anën tjetër pamjet nga burgu u paraqiten sonte në një televizion privat
Lexoni të plotë postimin e Çaushit në Facebook:
“Absolutisht e papranueshme dhe aspak etike shfaqja e pamjeve të burgut nga Klan Kosova.
Familja Dehari nuk ka ende një njoftim zyrtar për vdekjen e djalit të tyre nga institucionet e shtetit ndërsa sonte ballafaqohen me pamje të tilla tronditëse.
Xhirimet e kamerave nuk u lejuan as për familjen dhe as për avokatin e tyre. Në anën tjetër pamjet nga burgu u paraqiten sonte në një televizion privat.
Si është e mundur që pamjet e burgut të shfaqen publikisht kur hetuesia nuk e ka thënë asnjë përfundim publik për rastin?
Drejtësia për Astritin do të vihet në vend. Rrugë tjetër nuk ka!”. /Telegrafi/