Telegrafi

Cassius Chaney e nxori me nokaut nga ringu kundërshtarin Joel Caudle që në raundin e parë

(Foto: Screenshot/YouTube/Top Rank Boxing)

Boksieri amerikan në kategorinë e peshave të rënda, Cassius Chaney, e ka nxjerrë kundërshtarin e tij, Joel Caudle, me nokaut nga ringu që në raundin e parë.

Boksierit 32-vjeçar, i cili ka rekord prej 16 fitoreve dhe asnjë humbjeje, i mjaftuan më pak se tri minuta që ta mposhtte rivalin e tij në MGM National Harbor të Marylandit.

Që nga fillimi i meçit, Chaney e dominoi duelin duke e sulmuar vazhdimisht boksierin kundërshtar në përballjen që duhej të zgjaste tetë raunde.

Por, atij i mjaftoi vetëm raundi i parë për të arritur deri te fitorja, edhe atë me nokaut teknik, pasi gjyqtari e ndërpreu duelin.

Pas një sërë goditjesh të rënda, Caudle përfundoi ndërmjet litarëve dhe jashtë ringut. Ai u çua në këmbë dhe u kthye në ring, ndërsa gjyqtari e lejoi rifillimin e duelit, për ta ndalur vetëm disa sekonda më pas. /Telegrafi/