Telegrafi

Cassano sulmon Inzaghin: Interi duhet të gjejë trajner të ri

Ish futbollisti i njohur, Antonio Cassano, ka sulmuar trajnerin Simone Inzaghi vetëm pak ditë pas triumfit në Superkupën e Italisë, ku mposhtën Milanin me rezultat 3-0, por humbën në Serie A ndaj Empolit në “San Siro”, duke mbetur prapa për titull.

Me 13 pikë më pak se Napoli kryesues, kur ka mbetur edhe gjysma e kampionatit, duket e vështirë që Interi të shpresojnë ende. Këtë konfirmon edhe Antonio Cassano, që tregohet i ashpër në kritikën e tij me trajnerin Simone Inzaghi.

“Humbja me Empolin ishte e papritur, por edhe zhgënjyese për Interin. Nëse të mungon një identitet preciz, nuk mund të presësh gjithmonë që një individ të të zgjedhë situatën. Për mua, ky sezon i zikaltërve është një dështim. Interi dhe Juventusi kanë organikën më të mirë në kampionat, ndaj zikaltrit nuk mund të justifikohen vetëm me ‘Zonën Champions’”.

“Ne flasim për vështirësitë e Piolit, por ai atë organikë ka dhe nuk mund të kritikohet. Ndërsa Inzaghi po, pasi edhe me 10 futbollistë, i kishte shanset të fitonte ndaj Empolit. Menjëherë pas kartonit të kuq, hoqi një sulmues për një mbrojtës, duke tërhequr skuadrën. U zgjua shumë vonë dhe nuk mund të riparonte më dëmet”.

“Kaloi në një 5-1-3 të çuditshëm dhe të çrregullt. Mendoj se në korrik Interi duhet të gjejë një trajner të ri, pasi Inzaghi nuk më bind aspak”, ka thënë Cassano. /Telegrafi/