I pyetur nëse zyrtarët e SHBA-së janë në dijeni se pushteti kosovar planifikon të shpallë pavarësinë, më 28 nëntor, në Ditën e pavarësisë së Shqipërisë, Casey është përgjigjur: "Jam i vetëdijshëm se Grupi i Kontaktit dhe treshja janë të angazhuar rreth bisedimeve”.
Ai ka vlerësuar se treshja ndërkombëtare, në bazë të mandatit që ka marrë nga Grupi i Kontaktit, është duke punuar në gjetjen e një “zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët”.
"Këto bisedime do të duhej të përfundonin në fillim të dhjetorit, mirëpo një gjë për të cilën mendoj së është e rëndësishme, është se kemi arritur një përparim në këto bisedime”, ka thënë Casey, duke shtuar se nuk mund ta prejudikojë rezultatin e bisedimeve.
Casey ka thënë po ashtu se, SHBA-ja dëshiron që pjesëmarrësit të përqendrohen në këto bisedime, për të parë nëse mund të arrijnë “përfundime të pranueshme”.
"Nëse jo – siç e dini – politika e SHBA-së është shumë e qartë sa i përket kësaj çështjeje. Nëse nuk arrihet marrëveshja mendojmë se, fillimisht duhet të fillojmë me zbatimin e pavarësisë së mbikëqyrur të Kosovës, sipas planit të Ahtisaarit”, ka thënë ai. /VoA/