Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS), me seli në Lozanë të Zvicrës, refuzoi apelimin e bërë nga Sepp Blatter, duke lënë në fuqi dënimin me 6 vite pezullim nga të gjitha aktivitetet.
Ish-presidenti i FIFA-s në 17 vitet e fundit u dënua në muajin dhjetor të vitit të kaluar, së bashku me Michel Platinin, për një pagesë të kryer për llogari të francezit prej 2 milionë frangash zvicerane në vitin 2011, për disa shërbime në favor të FIFA-s.
Blatter, ashtu sikurse Platini, i mohoi akuzat, por kjo nuk e shpëtoi as atë dhe as francezin nga ndëshkimi.
Fillimisht, ish-presidentët e FIFA-s dhe UEFA-s u pezulluan me 8 vite nga aktivitetet, por ky dënim u ul më pas në 6 vite.
Platini ishte i pari që iu drejtua “CAS”-it për dënimin e tij, por ky institucion vetëm sa e reduktoi atë, nga 6 në 4 vite, ndërkohë që një gjë e ngjashme nuk ndodhi me Blatterin.