Çarshia e Madhe e Gjakovës (për ata që s’e dinë), është pjesa e vjetër e qytetit të Gjakovës, e cila daton që nga shekulli i XVI, kur Sylejman Hadum Aga në vitin 1594, pasi që e kishte ndërtuar Xhaminë e Hadumit dhe disa objekte përcjellëse përreth, kishte kërkuar nga Sulltani që t’i lejonte edhe ndërtimin e disa dyqaneve, ku do të ushtroheshin zanate, përfitimet nga të cilat do të mundësonin mbajtjen e objekteve të Xhamisë.
Me kohë, këto dyqane do të zgjerohen dhe do të ushtrojnë një laramani zejesh, veprimtaria e të cilave do t’i sjellë fitim këtij qyteti dhe zonave përreth. Për më tepër, nëpërmjet kësaj Çarshie do të arrijnë të zhvillohen kontaktet me anë të tjera të Ballkanit, dhe tregtarët e zejtarët e Gjakovës do të jenë një bashkësi e rëndësishme e njerëzve, që përfitimet nga ushtrimi i zejeve nuk do t’i shfrytëzojnë vetëm për nevoja të veta, por edhe për të mirën e përgjithshme.
Do të jenë zejtarët e lëkurave, tabakët, ata të cilët me investimet e veta do të ndërtojnë Urën e Tabakëve për të krijuar lidhjen me Shkodrën, si dhe do të jenë terzinjtë – rrobaqepësit, zejtarët të cilët me investimet e veta do të ndërtojnë Urën e Terzive, atë që do të lidhë Gjakovën me Prizrenin.
Në Çarshinë e Madhe të Gjakovës do të ushtrohen dhjetëra zeje duke filluar nga armëtarët – punuesit e armëve, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit (tabakët), rrobaqepësit (terzinjtë), zhgunaxhinjtë (rrobaqepësit e veshjeve nga zhguni), qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët (prodhuesit e pëlhurave nga mëndafshi), qeleshepunuesit (plisaxhinjtë), gërçakxhinjtë (punuesit e enëve nga dheu), saraçët, opingaxhinjtë, cergaxhinjtë, çibukxhinjtë etj.
Gjithashtu kjo Çarshi do të luajë edhe rol në momente të caktuara historike, pasiqë ajo ishte pjesa më e zhvilluar e qytetit, më e populluar gjatë ditës dhe më e informuar dhe aty bëheshin nga biseda mblesërie për bashkimin e ndonjë çifti, deri te pajtime gjaqesh e organizime për rrebelime ndaj pushteve të huaja.
Çarshia e Gjakovës, veprimtarinë dhe funksionin e vet e ka ushtruar deri para luftës së fundit në Kosovë, kur edhe u dogj në tërësi nga pushtuesit serbë, pa u kursyer as Xhamia qindravjeçare e Hadumit, biblioteka e saj me një fond shumë të pasur dokumentesh e librash, Teqja e Bektashinjve po ashtu me fondin e pasur të dorëshkrimeve, ndër të shumtat edhe të rilindasve, Medreseja dhe objekte të tjera përcjellëse. Këtë djegie Çarshia e pësoi për së dyti, pasi që njësoj ishte djegur edhe më 1912, por ishte rindërtuar përsëri.
Çarshia e Madhe e Gjakovës, u rindërtua prapë, pas luftës. U rindërtua edhe Xhamia e Hadumit, falë donacioneve të organizatave të huaja. Kompleksi i Çarshisë sot, ai kompleks dyqanesh, me arkitekturë tipike orientale, me rrugë dhe rrugica me kalldrëm, me dyqanet e ulëta nga druri e me qepenat karakteristikë për ekspozimin e mallit jashtë, përnga arkitektura i konkurron Çarshive orientale më të bukura në botë. Mirëpo Çarshisë i mungojnë zanatet, i mungojnë zejet tradicionale, i mungojnë blerësit, i mungon gjallëria, i mungon shpirti i tregut.
Sot në Çarshinë e madhe të Gjakovës nuk i gjen dy tri zeje që ushtrohen, përderisa një pjesë e dyqaneve janë bërë butiqe që shesin mall të eksportuar nga Kina dhe Turqia e pjesa më e madhe e tyre rrinë mbyllur. Qeratë e dyqaneve janë të larta dhe të papërballueshme për tregtarët, të cilëve ka ditë që nuk iu hyn kush në dyqan.
Ato pak zeje që ushtrohen nga zdrukthëtarë, rrobaqepës, saraçë, apo edhe nga gërçakxhiu i vetëm në Kosovë, e kanë të pamundur të mbajnë familjen me prodhimet e veta, pasiqë sot kërkesat e tregut kanë ndryshuar dhe zejtarët nuk i stimulon shteti për të ushtruar zanatet e vjetra. (Një zdrukthëtar më tha që i kishte tre fëmijë studentë në Prishtinë dhe fitimi nga kjo zeje as që i afrohej shpenzimeve që i duheshin për të mbajtur ata. Përderisa një zejtar tjetër më tha që ia kishin këputur telefonin ngaqë nuk kishte me çka ta paguante.)
Për më tepër goditja më e madhe që i është bërë kësaj Çarshie, është vendimi i kohëve të fundit nga Komuna e Gjakovës, që asnjë tregtar nuk guxon të nxjerrë mallin jashtë për ta ekspozuar. Kush guxon, gjobitet me pesëfishin e vlerës së qerasë së dyqanit. Paramendoni sa mund të jetë i arsyeshëm ky vendim për një çarshi/ pazar të tipit oriental ku stili i ushtrimit të veprimtarisë së tij është ekspozimi i mallit më shumë jashtë se brenda. Kujtoni këtu Pazarin e Krujës apo Kapaliçarshinë e Stambollit ose çarshi të tjera orientale që keni vizituar, si do të dukeshin nëse mallrat e tyre do ishin vetëm brenda dyqanit dhe në rrugën me kalldrëm para dyqaneve do të qarkullonin veturat, siç bëhet sot në Çarshinë e Gjakovës.
Ekspozimi i mallit jashtë në qepenat e dyqanit (të cilët ndërtohen enkas për këtë qëllim) e vë në funksion çarshinë e tipit oriental, çfarë është Çarshia e Gjakovës dhe ajo nuk mund të trajtohet njësoj si një rrugë urbane me dyqanet e stilit modern. Përderisa është e tillë ajo edhe duhet të funksionojë si e tillë. Gjithashtu duhet të stimulohen zejtarët për të ushtruar zanatin e tyre, duke gjetur forma për t’i inkurajuar vizitorët e turistët që të shohin një atraksion kaq të rrallë, që të blejnë prodhimet e zejtarëve dhe që t’i kthejnë shpirtin Çarshisës së madhe të Gjakovës. Ajo ka shumë nevojë për mbështetje, për përkrahje, për stimulim e jo për mbyllje, izolim dhe ngulfatje, siç po i bëhet.
Thënë në përgjithësi, kjo që po bëjmë viteve të fundit me vlerat tona të traditës, duke i mohuar, injoruar, apo edhe lënë të shuhen në qetësi, është mëkat i pafalshëm. Po shërbehem këtu me një citat nga libri i Prof. Dr. Masar Rizvanollit “Çarshia e madhe të Gjakovës”, nga i cili edhe i mora të dhënat për historikun e saj, ku i referohet mendimit të Agathonit, i cili paska thënë: “Një gjë e vetme i është mohuar edhe Perëndisë: Pushteti për të zhbërë të kaluarën”. A thua neve po na duket vetja mbi Perëndinë?